Ka ndodhur

Të shtëna me armë në Shkodër / U qëllua drejt automjetit të boksierit, policia identifikon autorin: Shkak konflikte të mëparshme

Nga Gazeta Si- Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mesditën e sotme në Shkodër në lagjen “Partizani”.

Policia njofton se autorët apo autori, kanë qëlluar në drejtim të një automjeti “Land Rover” në lëvizje, ndërsa nuk ka pasur persona të lënduar. Mësohet se automjeti është në pronësi të Sokol Kajoshit, babai i boksierit Arjon Kajoshi i cili ka qenë duke drejtuar makinën. Menjëherë pas të shtënave, ai ka braktisur makinën dhe është larguar.

Sulmi me armë ndaj makinës së Kajoshit ndodhi sot por zanafilla daton më 3 Qershor 2024, kur pas sherrit për parkimin është dhunuar me pasojë plagosjen 62-vjeçari Vladimir Bruçi. Burime zyrtare nga policia thanë pas ngjarjes, se 6 persona janë përfshirë, njëri prej të cilëve ishte vëllai i boksierit, Arlind Kajoshi (për të cilin besohet se ka ndodhur atentati sot, me motiv hakmarrjen).

Policia njofton se është bërë identifikimi i autorit dhe shpallja në kërkim e tij, konkretisht shtetasit A. B, i biri i Vladimir Bruçit.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e autorit.

“Rreth orës 12:30, në lagjen “Partizani”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti “Land Rover” në lëvizje, në pronësi të shtetasit S.K. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, dhe dokumentimin ligjor të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë