Këshilli i Lartë i Prokurorisë me të vërtetë është institucion i ri i reformës në drejtësi, por Qeveria e prokurorëve ka ngelur në provimin më të rëndëishëm, sa u takon lëvizjeve të prokurorëve.
Një burim jozyrtar, por i besueshëm pranë KLP-së pretendon për gazetën “Si” se që nga konstituimi i këshillit vazhdohet me “veset” e drejtësisë së vjetër, prokurorët e preferuar dhe me influencë vazhdojnë të mbajnë të kapura prokuroritë më të lakmuara, sikurse Durrësin, Fierin, Tiranën, Elbasanin dhe Vlorën, ndërkohë që në prokuroritë e tjera, sikurse Saranda, Mati, Puka e të tjera vazhdohet të caktohen prokurorët që nuk kanë “miq”, ose influencë votash pranë KLP.
Për shkak të këtyre të dhënave gazeta “Si” monitoroi një nga mbledhjet e fundit për 2019 të KLP-së, ku në rend dite ishte caktimi i përkohshëm i prokurores Alma Bramo pranë prokurorisë së Durrësit, apo edhe caktimi i prokurorit Kreshnik Ajazi si kreu i akuzës së Elbasanit.
Debatet mes anëtareve janë nxehur keq dhe në regjistrimin audio dallohen qartë edhe dyshimet që kanë haptazi disa nga anëtarët, të cilët shtrojnë shpesh pyetjen “përse Durrësi dhe jo prokuroritë e tjera?”.
Për shkak të pretendimeve të anëtarëve të tjerë si Bujar Sheshi, Genti Ibrahimi apo Kosta Beluri, që citojnë tërmetin në Durrës si shkaktar të caktimeve shtesë në prokurorinë e këtij qyteti, anëtarë të tjerë dalin kundër. Besnik Cani gjatë mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura ngre zërin dhe kërkon kritere të qarta, ndërkohë që Esmeralda Keshi konsideron në gjendje emergjence më tepër se çdo prokurori tjetër prokurorinë e Matit, që ka mbetur me vetëm një anëtar.
Zevendes kryetari Alfred Balla del po ashtu kundër dhe deklaron se Durrësit ka më tepër se 26 prokurorë dhe se Durrësi nuk është emergjent, sikurse edhe prokuroria e Krujës që gjithashtu ka nën hetim dosje të shumta të tërmetit, por që ka mbetur me vetem tre prokurorë.
Konkretisht, në rend dite në mbledhjen që zgjoi temën delikate për prokuroritë e preferuara dhe atë që Nurihan Sehitaj e konsideroi “si çështje ku nuk i pushoi telefoni për një javë”, ishin propozimet për caktimin e përkohshëm në krye të prokurorisë Kukës dhe Elbasan, zgjatje e afatit të përkohshëm të prokurores Violeta Shkurta në Fier, shtyrje e afatit të caktimit si drejtues në prokurorinë Lushnjë të prokurorit Arben Dyla, të Frances Ganaj, në krye të prokurorisë Pukë dhe të Alma Bramo dhe Suela Belulit në prokurorinë Durrës.
Por, prokuroria që nxehu anëtarët lidhej me Prokurorinë e Durrësit, një qytet i preferuar për prokurorët edhe para reformës në drejtësi. Besnik Cami kërkoi llogari dhe kërkoi zgjidhje edhe për prokuroritë e tjera, sipas sipas një rregulloreje që duhej të ishte përpiluar prej kohësh dhe që duhet të përfshinte edhe skemën paralele dhe skemën e delegimit.
Që nga hyrja në fuqi e paketës së reformës ligjore, të gjitha prokuroritë janë futur në ngërç dhe shumica e prokurorëve janë të caktuar përkohësisht, një situatë kjo që sipas anëtares Esmeralda Keshi “po hap probleme në procesin hetimor, pasi asnjë dosje nuk mund të hetohet për tre muaj, aq sa zgjat caktimi i përkohshëm”.
Më poshtë gazeta “Si” po sjell ekskluzivisht kulmin e debateve mes disa anëtarëve të KLP, ku flitet edhe për telefonata dhe preference.
Gent Ibrahimi: Në lidhje me caktimet e përkohshme do të vazhdojmë siç kemi vepruar deri më tani. Ajo çka presim ne nga Komisioni i Karrierës është që të na thotë po kandidati i plotëson kushtet, ose jo kandidati nuk i plotëson kushtet. Vendimmarrja i takon Këshillit.
Aleksandër Beci: Me miratimin e ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele ne shumë shpejt do të hapim garën për drejtues prokurorish.
Esmeralda Keshi: Shoh në agjendë që nuk kemi Burrelin. Është me vetëm një prokuror, është në situatë emergjente. Burrelin e kemi jashtë eficencës. Është pa sens që ajo prokurori qëndron me një, vendimet janë shumë të mira kur i marrim për Tiranën e Durrësin, por ne duhet të jemi eficentë edhe për Pukën dhe Burrelin.
Besnik Cami: I dëgjova shqetësimet e kolegëve qoftë për prokurorinë e Krujës, qoftë për të Sarandës që ka problem familjare. E mirëkuptoj komisionin përsa i takon Alma Bramos, pasi është e vetmja magjistrate që u përgjigj për të shërbyer në Pukë. Ajo që do të shtroj është një pyetje… është cilat kritere ka ndjekur komisioni për propozime nga Fieri, në Krujë?
Kosta Beluri: Kam thjesht një propozim për Komisionin e Karrierës, që kur bëhet fjalë për rrethet e largëta, duhet të përdorë edhe transferimin pa pëlqim.
Aleksandër Beci: Zonja Alma Bramo është caktuar në 27 shtator 2019, u caktua përkohësisht pranë prokurorisë Pukë. Ky është caktimi i saj i dytë. Komisioni për zhvillimin e karrierës vlerëson se duke vlerësuar faktin që ajo ka zbatuar detyrën shumë larg për gjashtë muaj, duke nisur nga fakti që ajo ka një nënë të sëmurë, ne propozojmë që prokurori Alma Bramo të caktohet në Durrës.
Gent Ibrahimi: Ka edhe një arsye tjetër që ka të bëjë me ngarkesën e rritur që po përballon prokuroria e Durrësit pas tërmetit dhe numrit të procedimeve penale.
Aleksandër Beci: Nga ana e prokurorit të Durrësit, zonja Anita Jella na është dërguar një kërkesë ku për shkak të tërmetit, prokuroria ka filluar procedimin penal 2466, që hetohet nga 4 prokurorë. Rezulton një numër i madh procedimesh për të gjitha godinat që prishen, apo janë dëmtuar.
Tartar Bazaj: Pse mos të shqyrtohet sot edhe rasti i prokurorit Elidon Hyseni. Çdo ditë shkon dhe vjen nga Tirana në Sarandë, ka prindërit të sëmurë, të atin të paralizuar.
Esmeralda Keshi: Lidhur me propozimet nga Komisioni i Karrierës, Këshilli duhet të mbajë parasysh edhe balancimin, në rastin konkret nuk po mbahet parasysh ky balancim. Në rastin konkret prokuroria e Matit ka mbetur me vetëm një prokuror dhe mbulon edhe IEVP dhe në kuadër të amnistisë, kërkesat do të jenë në rritje. Nuk besoj që nuk do të ketë kërkesa për përjashtime të prokurorëve në Mat. Kështu që nuk mendoj që kjo gjë po ndodh sipas rregullores.
Aleksandër Beci: Ne jemi duke zhvilluar mundësitë e karrierës dhe natyrisht ne nuk duhet të harrojmë që po veprojmë sipas emergjencës së vettingut që na ka detyruar të veprojmë me instrumentin e caktimit të përkohshëm.
Besnik Cami: Dua të di cilat janë kriteret për këto caktime të përkohshme?
Nurihan Sehitaj: Na ka rënë telefoni një javë të tërë. Ata nuk kishin zgjidhje tjetër, duhet të shkonin në vendin ku shkuan në bllok. Zonja po shkon atje, kemi një magjistrat, vinte nga Durrësi, e dërguam në Vlorë, por ju lutem po filluam me elementët familjarë, magjistratët kanë elementet e mjedisit. Magjistrati po lakohet kaq shumë, mund të jetë magjistrat model, por po ndryshon bazën. Jam anëtare e KLP dhe dua që KLP të ketë frymë pozitive. Të kemi një profil të shkëlqyer, por arsye familjare që po dëgjoj këtu, ngjajnë tronditëse, si do veprojmë?!
Besnik Cami: Caktimi i përkohshëm sipas nenit 59, këta që ne po i caktojmë nga rrethi A në B, dhe në një farë mënyrë i prevalojmë dhe i privilegjojmë në raport me prokurorë të tjerë që po punojnë në rrethe. Ne një farë mënyrë po privilegjojmë prokurorë të caktuar me emra, ndaj dua të di kriteret.
Gent Ibrahimi: Duke përdorur një nga katër-pesë instrumenta ne kemi përdorur vetëm një instrument, caktimin e përkohshëm. Padyshim që ne kemi kritere, por këto kritere janë të përgjithshme nga emrat e 290 prokurorëve që kemi. Kriteret për fat të keq nuk mund të jenë kaq super objektive. Por, rasti i zonjës Bramo, ka një kriter se shkoi në Pukë, ndërsa zonja Beluli po pranon të shkojë atje ku ishte. Ja ku u gjet edhe kriteri për të.
Besnik Cami: Atëherë më thoni sa kërkesa ka nga prokurorët për të lëvizur nga prokuroria A në C? Atëherë do të themi që jemi objektivë në një emër. Ndaj jam kundër, se kështu i bie që kushdo këtu mos të veprojë jo më me emra, por me telefona. Atëherë më thoni, përse u zgjodh kjo zonjë për në Durrës, por jo dikush tjetër?
Gent Ibrahimi: Ne jemi para një vështirësie të tillë dhe detyrohemi të jemi pak arbitrarë. Jo se na pëlqen, por në kushtet e pamundësisë, ndoshta për të dalë nga kjo situatë. A kemi ne kërkesa të tjera? A kemi ne kërkesa të tjera për në Durrës, se nëqoftëse ne hapim lojën për në Durrës ndoshta vijnë 50 kërkesa. Nëqoftëse ka tre-katër kërkesa dhe ne i vëmë gishtin vetëm njërit.
Bujar Sheshi: Ideja e KLP është që t’i caktojmë Durrësit prokurorë se 30 çështje në Durrës të reja regjistrohen për shkak të tërmetit. Durrësi kërkon prokurorë për volumin. Komisioni caktoi zonjën Alma Bramo dhe në rregull, por me sa kuptoj unë Bramon e kërkon Durrësi. Unë nuk e di kërkesën zyrtare, por nisem nga çfarë u relatua në shkresë, në kërkesë verbale ata kërkuan që të vijë kjo, se kësaj nuk i janë shpërndarë dosjet.
Nurihan Sehitaj: Çfarë ndodh me caktimet?
Aleksandër Beci: Ne, nëpërmjet atij akti në bllok deshëm të rregullojmë një situatë juridike, nëpërmjet kthimit të prokurorëe aty ku ata kishin më parë emërimin. Më pas ne mendojmë të rregullojmë situatën. Siç pretendon zoti Cami ka edhe kërkesa të tjera të lidhura me shkaqet familjare, ato duhet të trajtohen sipas propozimeve konkrete, rast pas rasti
Vatë Staga: Unë propozoj që rasti konkret i prokurores së Fierit, Suela Beluri të shtyhet për në një mbledhje tjetër.
Tartar Bazaj: Rrugën Sarandë-Tiranë e kam përshkruar qindra herë, duhen së baku 10 mijë lekë vajtje-ardhje, plus ushqimin, plus prindërit e paralizuar. Ky prokuror, pse duhet të shkojë vajtje-ardhje? Ta votojmë edhe çështjen e prokurorit Elidon Hyseni.
Gent Ibrahimi: Ky propozim duhet parë në Komisionin e Karrierës.
Tartar Bazaj: Është dorëzuar më herët kërkesa.
Besnik Cami: Me sa kuptova, meqë nuk paska kërkesë zonja Beluri nga Fieri në Durrës, për të shtyjmë në një mbledhje tjetër. Nuk është kaq në situatë alarmante Durrësi. Edhe Kruja në situatë alarmante, edhe Mati është akoma në alarmante, kemi Burrelin. Pse vetëm Durrësi? Tërhiqni kandidaten për në Durrës, ose i trajtoni në bllok, pse vetëm Durrësi?
Esmeralda Keshi: Çmoj që pas kërkesës së zonjës Anita Jella, kjo lidhet me nevojat e punës së institucionit. Të ftohen prokurorët në skemë delegimi, se jo gjithmonë do të kemi prokurori të preferuara, por edhe prokurori të papëlqyera. Duhet të kemi parasysh që një dosje nuk zgjidhet për tre muaj, meqë po thuhet që prokurori do të caktohet përkohësisht atje për tre muaj. Dosja mund të zgjidhet për një vit.
Bujar Sheshi: Nuk kam asgjë me emër. Shqetësimi im është të zgjidhim problemin e Durrësit. Atje ka ndodhur një fatkeqësi natyrore. Për këtë arsye që problemin e Durrësit ta zgjidhim sa më shpejt. Ndaj nuk jam dakord për propozimin e zonjës Keshi, për transferimet e përkohshme, se ajo kërkon një procedurë që do kohë, se bëhet fjalë të caktohet sot e të fillojë punë nesër.
Regjistrimi audio tregon se temperaturat e diskutimit mes anëtarëve ngrihen sa herë bëhet fjalë për prokurori ku edhe ka influenca. Ky problem është hasur edhe me herët në sistemin e akuzës, atëherë kur Këshilli i Prokurorisë i propozonte emra konkret Prokurorit të Përgjithshëm për emërimet e prokurorëve në rrethe dhe ku sërish më të privilegjuarit qëndronin dhe emëroheshin në trekëndëshin Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
I njëjti fenomen vazhdon dhe përsëritet, ndonëse institucionet janë të reja, veset janë ende të vjetra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.