Dosje

Ekskluzive/ “Edhe ne jemi të stresuar nga Vettingu”, çfarë u tha në gjyqin për kontrollorët, zbulohet urdhëruesi i katërt

Të tre të dyshuarit për shpërdorim detyre në bashkëpunim e kanë mohuar rolin e tyre organizues për të bllokuar fluturimet në Aeroportin “Nënë Tereza”. Ndërkohë, nga kqyrja e mesazheve të lexuara në seancën me dyer të mbyllura del urdhri i një personi të katërt i cili shkruan “ bllokoni kullën”. Gazetasi.al mëson ekskluzivisht se gjykata ka pyetur tre të dyshuarit se kush është ky person

“Është shtetasi K.D dhe është kontrollor në AÇ/ APP  që është salla për menaxhimin e trafikut ajror”, mësohet të kenë thënë në këtë seancë tre të dyshuarit.

Sipas burimeve për Gazetasi.al gjykata i ka lënë detyrë urgjente prokurorisë ta identifikojë këtë person dhe ta vendosë përpara përgjegjësisë

Për të dyshuarën e parë Flora Ndreca, prokuroria kërkoi në seancë masën e arrestit shtëpiak dhe kjo kërkesë u pranua.

Gruaja ka shpërthyer në lot dhe tha se i kishte falur jetën detyrës që kryente

“Kam një fëmijë të vogël. I kemi dhënë ALBKONTROL-it jetën, por dhe kemi marrë prej tij” u shpreh Ndreca sipas të cilës nuk ka kryer asnjë akt të kundraligjshëm sa kohë sipas saj ishin të stresuar

Por gjykata sipas një burimi të Gazetasi.al ka komentuar: “Edhe ne jemi të stresuar nga vettingu, por nuk e braktisim detyrën. Përse nuk paralajmëruat për veprimet që do të kryenit dhe përse pas një viti konflikt ju u stresuat të gjithë në të njëjtën ditë?”

Dy të dyshuarit e tjerë  Muhin Mezini dhe Armando Fezga të cilët përfunduan nën masën arrest me burg dhe që dyshohen si më kryesorët, pretenduan se ishin aktivë në komunikimet në “Whats up” për shkak të rolit drejtues në sindikatën e pavarur të kontrollorëve të trafikut ajror

Armando Fegza, sipas burimeve të Gazetasi.al, këmbënguli dhe kujtoi se është Kryetar i Sindikatës  dhe se kishte porositur dhomat për të pushuar stafi i kontrollorëve nga fondi i Sindikatës dhe jo nga xhepi I tij. “Ne vendosëm të pushonim aty në hotel pasi ishim të stresuar” , këmbënguli Fezga që u mbështet edhe nga kolegu tjetër

Gjithnjë sipas burimeve të Gazetasi.al, Muhin Mezini mësohet të ketë thënë se atyre u ka ndryshuar jeta pasi nga paga prej 3 milionë e 600 mijë lekë marrin 1 milionë e 900 mijë lekë.

“Nuk e kemi organizuar ne, - këmbëngulën të dyshuarit,- mesazhet që keni kapur në telefon janë shkruar pasi kemi detyrën e kryetarit dhe sekretarit të sindikatës”

Por pavarësisht këtij qëndrimi, gjykata vendosi masën arrest me burg duke i lënë detyrë prokurorisë të gjejë kontrollorin e katërt.

Kurse Ndreca përfitoi nga fakti se ishte nënë e një fëmije të vogël dhe duhet të qëndronte pranë të miturit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë