Politike

Balluku: Të gjithë kontrollorët në punë, përveç atyre që janë para drejtësisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se janë rikthyer në punë të gjithë kontrollorët e trafikut ajror, me përjashtim të atyre që janë para drejtësisë.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, Balluku u shpreh se e gjithë protesta kishte prapavijë politike, e organizuar pikërisht nga ata kontrollorë që sot janë para drejtësisë.

“Të gjithë kontrollorët janë rikthyer përveç atyre që tashmë iu duhet të përballen me ligjin, por edhe atyre që përgjatë kohës së grevës nuk ishin në punë për arsye shëndetësore, dikush me Covid, dikush për sëmundje të tjera. Kjo ishte edhe arsyeja pse u zgjodh koha besoj. Pra ishin më pak kontrollorë të disponueshëm, më pak se zakonisht, kështu që edhe numri i atyre që bënë grevë, më pak se 48. Nuk është se janë gjithë kontrollorët e trafikut ajror, janë pothuajse gjysma sepse kontrollorët në total janë 78 licenca nëse unë nuk gabohem.

Kontrollorët e trafikut ajror tashmë kanë marrë detyrën dhe duhet të bëjnë detyrën. Mirë apo keq, drejtësia e ka marrë në dorë dhe secili do të marrë hakun e tij. Shumë prej kontrollorëve nuk kanë lidhje me këtë. Unë i njoh.

Ata që kanë futur elementët politik, ata që kanë shfrytëzuar pandeminë , pra janë përdorur të gjitha elementet në kohën më të paduhur”, tha Balluku.

Kjo, sipas saj, ishte një grevë me prapaskenë politike, e organizuar nga organizatorët “që sot janë para drejtësisë”.

“Është parë që gjatë gjithë kohës që ka pasur referenca politike”, tha Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë