Rend dhe Ligj

Ekskluzive/ Dosja Balili – Akuzat për trafik droge e pastrim parash

Gazeta “Si” zbardh akuzat e ngritura nga Prokuroria për Krimet e Rënda në ngarkim të Klemend Balilit, i vetëdorëzuar një ditë më parë në polici. Ai akuzohet nga trafiku i lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim, e deri tek pastrimi produkteve të veprës penale.

Ish-kreu i Transporteve të Sarandës akuzohet gjithashtu për refuzim të deklarimit, deklarim i rremë dhe fshehje e pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë. Dyshohet se gjatë periudhës që ka qenë në këtë post, Klemend Balili ka fshehur të ardhurat e siguruara nga trafiku i drogës në drejtim të Greqisë.

Por, megjithëse nga ambasadori amerikan dhe mediat greke e më pas ato shqiptare, Klemend Balili u pagëzua si “Eskobari i Ballkanit”, ndaj tij nuk është ngritur ende, të paktën deri më tani, akuza e krijimit dhe drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal, por vetëm ajo e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.

Prokuroria shqiptare ka përkthyer dosjen e palës greke. Në të thuhet se më 6 prill të 2016, shtetasit shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të urdhëruar nga Klemend Balili futën me anë të një skafi në territorin grek një sasi rreth 680 kilogramë hashash.

Nga hetimet e deritanishme prokuroria nuk ka mundur të përcaktojë saktësisht pikënisjen e kësaj sasie droge, por thotë se skafi është nisur diku afër Sarandës. Destinacioni ishte një zonë e pabanuar në ishullin grek të Zakonthosit dhe dyshohet se ishte porositur nga shtetasi Georgios Alifandi. Ky i fundit besohet se kishte një marrëveshje me Klemend Balilin edhe si pjesë e grupit të strukturuar të trafikantëve.

Faksimile e dosjes hetimore në ngarkim të Klemend Balilit

Lënda narkotike do të merrej në dorëzim nga Spiridhon Kolevris, Dhimitrios Papadhomichelakis, Christos Chorianopoulos, Stamatis Bouropoulos dhe Thomas Aleksakis, që të gjithë shtetas grekë. Këta të fundit besohet se vepronin për llogari të Georgios Alifandi.

Rreth orës 2:00 të 8 prillit 2016, e gjithë kjo sasi droge u sekuestrua e fshehur në një kamion. Autoritetet greke kishin bllokuar më parë skafin me të cilin hashashi i transportua nga Shqipëria në drejtim të ishullit grek të Zakinthosit dhe vënë në pranga dy shtetasit shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanthi Palaj.

Nga marrja në pyetje e këtyre dy personave dhe nga përgjimet telefonike ka dalë në dritë emri i Klemend Balilit. Në maj të 2016 ai u shpall në kërkim nga autoritetet greke, por dosja në Shqipëri do të përkthehej nga Ministria e Drejtësisë vetëm në tetor të atij viti dhe pas presionit të fortë të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë, e përfshirë në këtë çështje edhe e sinjalizuar nga agjencia amerikane DEA, që thuhet se ka hartuar një dosje voluminoze prej 10 mijë faqesh ndaj Klemend Balilit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë