Lajme

Vetëdorëzohet Klement Balili, por qeveria thotë se u arrestua

I shumëkërkuari Klement Balili, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit mëngjesin e kësaj të marte.
Këtë informacion e dha i pari ish-kryeministri Sali Berisha. Në adresë të këtij të fundit kishte mbërritur një mesazh nga qytetari dixhital, i cili e informonte se Klement Balili është nisur për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa thuhet se shoqërohet nga nipi i tij, Rigels Balili.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/photos/a.400031620157751/1192149424279296/?type=3&theater

Lajmi u konfirmua për gazeta "Si" nga njëri prej avokatëve të tij, Baftjar Rusi.
Balili ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, së bashku me avokatin tjetër, Theodhori Sollaku.
Vetëdorëzimi erdhi vetëm një ditë, pasi u njoftua se kishte mbëritur letërporosia nga Greqia. Hetimet për Balilin janë shtyrë disa herë vitin e shkuar, pasi pritej letërporosia nga Greqia, e cila ka mbërritur te Krimet e Rënda në 30 dhjetor 2018, pasi këmbënguli disa herë vitin e shkuar dhe kërkoi prova shtesë ndaj 46-vjeçarit.

Dyshohet se vetëdorëzimi i Balilit një ditë pas publikimit të këtij lajmi është bërë, pasi ai mund të ketë marrë garanci se nga letërporosia e ardhur nga Greqia nuk ka prova kundër tij.

Ndërkohë avokati tjetër i Balilit, Theodhori Sollaku ka dhënë një prononcim për mediat, duke theksuar se për asnjë çast klienti i tij nuk i ishte shmangur drejtësisë, ndërsa shtoi se ai u vetëdorëzua kur u plotësuan kushtet. Mes të tjerash, ai shtoi se tashmë që kishte ardhur letërporosia nga Greqia, Balili u dorëzua, duke shmangur sipas tij edhe harxhimet që do të kishte shteti shqiptar për qëndrimin e tij këto dy vite në burg.
“Është e vërtetë që ka dy vite që është në kërkim policor. Trysnia ka qenë e madhe për ta arrestuar edhe pse s’ka prova. Prokuroria ka kërkuar prova nga autoritetet greke. Tani që erdhi letërporosia dhe hetimet janë drejt përfundimit, shtetasi Klement Balili vendosi të dorëzohej. Dhe shteti në këto dy vite do harxhonte lekë, do e mbante me ushqime dhe do kishte kosto. Ju e dini që një i burgosur e ka koston 50 euro në ditë, pra 50 mijë euro, por nuk është kjo kryesore”, pohoi Sollaku.
Avokati pretendon se as në këtë fazë, nuk ka prova që ta implikojnë klientin e tij. “Provat për fat të keq janë të dyshimta. Nuk ka asnjë implikim nga asnjë dëshmitar. Nuk ka asnjë bisedë telefonike të përgjuar. Pretendohet për një numër telefoni grek që i përket shtetasit Balilit, ndërkohë si në Shqipëri dhe në Greqi kush blen një numër telefoni, identifikohet me kartë identiteti dhe në këtë aspekt akuza ngelet e dyshimtë”, vijoi më tej avokati.

Klement Balili ishte në kërkim që prej dy vitesh pas urdhrit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Që prej 2016-ës, policia ka organizuar 14 aksione për kapjen e tij, por ka dështuar, madje edhe pse vendosi një shpërblim prej 5 milionë lekë për çdokënd që do të jepte informacion të vlefshëm.
Në maj të vitit 2017, autoritetet greke pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera të BE.

Lleshaj: Kemi në duar njeriun më të kërkuar
Pak pas vetedorëzimit të Klement Balilit në Policinë e Shtetit, doli në një deklaratë për mediat ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Lleshaj konfirmoi vetëdorëzimin e Klement Balilit, pa dhënë detaje operacionale, por duke theksuar faktin se policia ka hyrë në një fazë të re të luftë kundër krimit të organizuar.

“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin. Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan”, tha ministri Lleshaj.
Sipas ministrit, Policia e Shtetit është në gatishmëri për t’u përballur me këdo, me aftësi të përmirësuara goditëse.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1075078449282847/


“Në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, po e ngushtojmë gjithnjë e më shumë mundësinë që kriminelët t’i shpëtojnë policisë. Të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin e dinë mirë se mundësia për të shkuar para hekurave të qelisë është shumë e madhe”, tha ndër të tjera ministri Lleshaj.


Rama: Një nga operacionet më të sofistikuara policore
Ndërkohë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama në një postim në “Twitter”, pasi i shumëkërkuari Klement Balili ka përfunduar në prangat e policisë.
Rama e cilëson këtë rast një hap të madh në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje për qentë që lehin.
“Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara. Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH”, shkruan Rama në “Twitter”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1085131681189765120

Në një reagim të dytë, Rama thotë se Balili nuk është vetëdorëzuar, por prangosja e tij është një nga operacionet më të sofistikuara policore
“Hahaha çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur KB u ndal te dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij”, shkruan Rama në “Twitter”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1085134006788784128


Po ashtu, edhe Meta në një prononcim për mediat nga qyteti i Lezhës e ka përshëndetur ndalimin e Balilit, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për rezultatatin e sotëm.

“Përshëndes ndalimin e Klemend Balilit, një person me probleme mjaft serioze me ligjin. Në këtë rast dua të falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbatuese, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot”, shprehet Meta.

Paloka: Rama po vepron si me Tahirin

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat nga selia blu u shpreh se dorëzimi i Klement Balilit nuk është një hap i madh, siç e konsideroi kryeministri, por sipas tij, ky është dorëzim i kontrolluar dhe në pakt me Ramën.
Ai theksoi se kryeministri Rama po ndjek të njëjtën skemë, si me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin.

“Shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i menaxhuar dhe i kontrolluar i “Eskobarit të Ballkanit” në pakt me Edi Ramën. Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin. Dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge. Këtë skemë përdori edhe për ministrin e drogës, Saimir Tahirin. Prandaj drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi pesë vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet”, tha ndër të tjera Paloka.
Paloka shtoi mes tjerash se Balili ka jetuar në Sarandë dhe propaganda që i janë konfiskuar pasuritë janë farsë e kësaj qeverie.
“Edi Rama kontrollon hetimin e kësaj çështjeje. Gjatë gjithë kësaj kohe, Balili ka pasur mbështetjen e Ramës. Ai ka jetuar në Sarandë. Kompania e tij ka marrë 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është farsë. Propaganda nuk do ta ndihmojë që ta shesë këtë si sukses. Ky nuk është rasti për të duartrokitur policinë, por për të kuptuar se policia dhe drejtësia janë në duart e një personi të vetëm”, u shpreh nënkryetari i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë