Interviste

Ekonomia shqiptare / “Anija po fut ujë por trishtimi është që nuk po e shikojmë”

Tre vitet e fundit përbëjnë një nga periudhat më të vështira për ekonominë globale në dekadat e fundit. Kjo periudhë sfidash është më problematikja që nga kriza financiare globale e viteve 2008-2009. Pandemia ngadalësoi ose bllokoi tërësisht zinxhirin e furnizimit, vështirësoi tregtinë dhe shkaktoi mungesa të artikujve të konsumit. Këto mungesa shkaktuan një rritje të papritur drastike të çmimeve, duke rënduar mbi fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe përkeqësuar problemin e varfërisë në shkallë globale. Hapësira e bollshme fiskale e vendeve perëndimore e zbuti disi krizën në ato vende, por ekonomitë në zhvillim nuk patën burime të mjaftueshme financiare dhe vuajtën në mënyrë disproporcionale dhe në forma të ndryshme. Sikur të mos mjaftonte kjo, opinioni botëror u shokua më pas nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës. Ai krijoi probleme të reja në zinxhirin e furnizimit, sidomos atij të energjisë, duke përfshirë Evropën, dhe i shtyu ende më lart çmimet e energjisë dhe të artikujve të tjerë të konsumit.

Gazeta “Si” bisedoi me zotin Ilir Hysa, Ph.D, Director-Economic Research, Moody’s Analytics për efektet në Shqipëri dhe qasjen ndaj problemeve. Megjithëse opinionet e z. Hysa nuk përfaqësojnë Moody’s Analytics, ato japin një këndvështrim interesant dhe profesional për disa çështje që na shqetësojnë.

Botën e kanë kapluar të paktën dy kriza të njëpasnjëshme deri tani: pandemia dhe lufta Rusi- Ukrainë. Sipas jush si kanë ndikuar në ekonominë dhe financat e Shqipërisë

Për ekonominë e Shqipërisë, sidat janë ende më të shumta. Kjo sepse Shqipëria prodhon pak dhe importon shumë, dhe, si pasojë, i takon vendeve të dëmtuara më së shumti nga krizat e fundit. Dhe këtu nuk pa ndalemi në dëmin e krijuar nga keqpërdorimi i të mirave materiale publike. Ai dëm është në vetvete një temë e gjerë dhe e rëndësishme që meriton vëmendje.

Më tej, më lejoni të shtoj se shifrat zyrtare shpesh maskojnë dhimbjen e vërtetë që kanë shkatuar krizat mbi qytetarët shqiptarë. Shifrat zyrtare agregate, siç është prodhimi i përgjithshëm bruto apo të ardhurat mesatare, përfshijnë jo vetëm punën e ndershme të atyre që respektojnë ligjet e shtetit shqiptar por edhe lavanterinë gjigande të pastrimit të parave nga aktivitete të paligjshme. Thënë ndyshe, rrokaqiejt që ngrihen në Tiranë nga një grup i vogël individësh, të përfolur si të afërt me pushtetin, nuk reflektojnë as përparësitë ekonomike të Shqipërisë dhe as mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Ato aktivitete kanë sjellë një polarizim të frikshëm ekonomik të vendit.

Pra, e përsëris, për arsyet që përmenda, shifrat ekonomike zyrtare e deformojnë shpesh realitetin ekonomik shqiptar. Nëse doni të shihni efektin e vërtetë të krizave të lartpërmendura, të kombinuara me korrupsionin galopant që perceptojnë qytetarët, hidhni sytë tek tregu i punës. Largimet masive të fuqisë punëtore në përgjithësi, dhe të të rinjve profesionistë në veçanti, janë problemi më akut i vendit. Shqipërisë i janë larguar gjatë tre dekave të fundit punëtorë dhe profesionistë të cilët në pjesën dërrmuese i takonin fashos moshore që njihet si kategoria kryesore e fuqisë punëtore. Kjo kategori, e përbërë nga individë të moshës 25 deri në 54 vjeç, është edhe fuqia punëtore që normalisht ka edhe pjesëmarrjen më të madhe në tregun e punës, por ajo është tkurrur në nivele të frikshme në Shqipëri. Në kontrast, përqidja e pupullsisë mbi 65 vjeç është gati trefishuar në tre dekadat e fundit, nga rreth 5.5% në vitin 1990 në rreth 16% sot.

Sipas jush, qeveria shqiptare ka marrë masat e duhura në mbështetje të bizneseve dhe qytetarëve?

Masat e qeverisë maten me rezultatet, dhe këto të fundit nuk janë inkurajuese, madje edhe kur përdoren në mënyrë selektive. Më lejoni të sqaroj edhe një herë se shifrat që publikon INSTAT-i, dhe të cilave qeveria iu referohet vazhdimisht, nuk do të kishin vlerë nëse nuk do të vendoseshin në një kontekst më të gjerë.

Për hir të objektivitetit, roli i qeverisë duhet ndarë në kohë, në atë para, gjatë dhe pas pandemisë. E kam thënë edhe më parë se qeveria nuk duhet gjykuar ashpër për masat e marra apo të pamarra gjatë pandemisë, sepse ajo goditje e papritur globale gjunjëzoi edhe ekonomitë më të fuqishme të botës. Por qeveria duhet gjykuar për rolin e saj përgjatë një harku më të gjatë kohor. Në bindjen time, barometri më i rëndësishëm, dhe, në fakt, i vetëm i punës së saj është perceptimi i qytetarëve. Fakti që politikat ekonomike të qeverisë nuk kanë arritur të ndalojnë hemorragjinë masive në tregun e punës janë treguesi më domethënës i gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia e Shqipërisë. Thënë troç, Shqipëria po zbrazet para syve të qeverisë. Eksodi i pafund do të krijojë pasoja të rënda për vitalitetin e tregut të punës për vite e dekada me radhë. Thënë ndryshe, nëse kombinohet efekti i lindjeve në rënie dhe i largimeve të të rinjve nga vendi, Shqipëria po përjeton ritmet më të larta të plakjes në Europë dhe nuk do të jetë e largët dita kur mosha mesatare do të jetë e krahasueshme me atë të vendeve të Evropës perëndimore.

Ende më shqetësues është fakti se qeveria e justifikon eksodin e vazhdueshëm shqiptar me lirinë e lëvizjes, duke mos pranuar se ajo vetë është pjesë e problemit. Nuk është i ri fakti se politika konfliktuale dekadave me radhë, përfshirë periudhën e qeverisjes së mazhorancës së sotme, ka vrarë shpresën e qytetarëve, duke shkaktuar largimin e tyre nga Shqipëria. Askush nuk duhet të çuditet pse të rinjtë nuk e shohin dot të ardhmen e tyre në Shqipëri. Dhe pse të mos largohen?! Ja si sillet qeveria me ajkën e shoqërisë shqiptare, studentët dhe profesionistët e rinj. Pasi ka dështuar t’ua mbushë mendjen për të qëndruar në Shqipëri, qeveria po përpiqet që t’i mbajë dhunshëm të rinjtë në vendin e tyre. Ja një shembull, të cilin ju ftoj t’a verifikoni: Të rinj të cilët kanë mbaruar studimet e larta në universitete shtetërore në korrik 2022 nuk kanë marrë diplomat as sot. Disave prej tyre u është thënë se do t’i marrin dokumentin në nëntor 2023, sepse gjoja paska patur një problem me tenderin e kartonave dhe se duhet të presin. Pra, studentët me plot ëndërra për të kontribuar për vendin e tyre duhet të presin një vit e gjysëm që shteti i tyre të pranojë mundin e djersën e tyre. Pra, kësisoj ata mbahen peng në vendin e tyre, sepse as mund të aplikojnë për punë në Shqipëri dhe as mund të largohen jashtë saj pa provën e studimeve të përfunduara. Dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, absurditeti dhe krimi relativizohen, dhe pengmarrja e rinisë konsiderohet gjë e vogël, edhe pse me pasoja të rënda për individët dhe për vendin.

Më tej, literatura e gjerë në fushën e ekonomisë politike dhe eksperienca jetësore, na mësojnë se eksodi i vazhdueshëm dobëson frymën opozitare. Kjo sepse të pakënaqurit kanë propensitet më të lartë për tu larguar sesa të kënaqurit. Ndërsa këta të fundit gjenden shpesh të punësuar në sektorin publik ose në kompani të favorizuara nga qeveria, të tjerët mbeten në mëshirë të fatit. Ky lloj hendeku shoqëror, i cili thellohet me largimet e reja, është spirale shumë e dëmshme për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. A duhet të çuditet kush pse diktati dhe mungesa e llogaridhënies kanë zëvëndësuar debatin e shëndetshëm, tipar i një shoqërie demokratike?!

Kriza e bankave në Amerikë dhe Zvicër, është rrjedhojë e krizës si pasojë e pandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë? Apo çfarë?

Jo, kriza e krijuar në sistemin bankar nuk është pasojë direkte e pandemisë apo e luftës në Ukrainë. Falimentimi i bankave rajonale amerikane, i cili filloi me atë të Silicon Valley Bank, ka të bëjë me dy faktorë, me keqmenaxhimin e këtyre bankave dhe me relaksimin që iu bë në vitin 2018 një pjese të kuadrit rregullator, të njohur si Dodd–Frank Wall Street Reform and Consumer Protection Act, të miratuar pas krizës financiare të viteve 2008-2009. Para vitit 2018, banka të tilla ishin të përfshira në testin vjetor të stresit, të njohur si Comprehensive Capital Analysis Review (Rishikim Gjithëpërfshirës i Analizës së Kapitalit). Problemet me bankën Credit Suisse kanë ekzistuar prej kohësh, dhe paniku i kohëve të fundit vetëm i ekspozoi ato dobësi, apo, siç thonë ekspertët e financave, “zbatica ekspozoi ata që po notonin lakuriq”.

A ka rrezik sistemi bankar shqiptar dhe bankat e nivelit të dytë në Shqipëri?

Momentalisht, bankat që operojnë në Shqipëri paraqiten në gjendje normale, por kjo që shohim mund të jetë qetësia para stuhisë. Duhet kuptuar se bankat e nivelit të dytë fitojnë duke përdorur depozitat e qytetarëve që munden të kursejnë dhe duke iu dhënë kredi individëve dhe bizneseve. Nëse Shqipëria do ti japë fund varësisë nga aktivitetet e paligjshme, shëndeti i këtyre bankave do të varet nga shëndeti i fuqisë punëtore. Mjerisht, momentalisht, kjo e fundit është në gjendje kritike. Fakti që punëdhënësit nuk gjejnë punëtorë të kualifikuar është refren i njohur në Shqipëri.

Rrjedhimisht, kjo gjendje do të reflektohet në aktivitetin e këtyre bankave këtë vit, në 2024 dhe në vitet që vijnë. Probleme të reja në sistemin bankar ndërkombëtar do të ishin vetëm një katalizator i krizës që po gatuhet gradualisht me largimet e pandalshme të rinisë nga Shqipëria.

A shikoni ngjashmëri me krizën e vitit 2008?

Krizat financiare kanë shpesh elementë të përbashkët, dhe, nuk ka dyshim, se më i rëndësishmi mes tyre është paniku. Deri tani, kriza e fundit është menazhuar mirë, duke mos lejuar të sundojë paniku. Në Sh.B.A. autoritetet vendosën të kompensojnë plotësisht depozituesit e Silicon Valley Bank dhe siguruan publikun se do të ndërhynin sërisht nëse do të ishte e nevojshme, dhe kjo i qetësoi tregjet dhe depozituesit e bankave të tjera. Po ashtu, me ndërhyrjen e autoriteteve zvicerane, Credit Suisse u ble, kuptohet me vlerë të reduktuar, nga UBS, një tjetër bankë svicerane. Përndryshe, bazat e sistemit bankar janë të shëndosha. Për këto arsye, nuk ka shumë ngjashmëri me krizën e vitit 2008, pasi ajo në thelb ajo u parapri nga një kolaps në vlerën e aseteve, përfshirë pasuritë e patundshme. Kjo i vendosi huamarrësit, përfshirë ata të kredive të shtëpive, në pozitë shumë të vështirë, pasi borxhi ndaj bankës për blerjen e një shtëpie e tejkalonte tashmë vlerën e shtëpisë.

Ende më i rëndësishëm është fakti që ishte pikërisht kriza e vitin 2008 ajo që solli kuadrin rregullator global që kemi sot. Korniza rregullatore synon pikërisht identifikimin e problemeve dhe parandalimin e krizave.

Sipas jush Banka Qendrore shqiptare i ka përdorur gjithë instrumentet në dispozicion dhe kompetencat për uljen e inflacionit?

Banka Qëndrore e ka gjetur veten në një pozicion të vështirë në luftën e saj kundër inflacionit. Kjo sepse mjetet që kjo bankë ka në dispozicion janë të kufizuara. Përdorimi i tyre ndikon mbi kërkesën por jo mbi ofertën. Për shembull, vendimi i saj i muajit mars për të rritur normën bazë të interesit nga 2.75% në 3% synon të ulë huamarrjen dhe kërkesën. Por ulja e detyrueshme e kërkesës në një vend me kërkesë anemike e bën ilaçin më të dëmshëm sesa vetë sëmundja të cilën ai synon të shërojë. Pra, nuk është e shëndetshme që shumë familje shqiptare, të cilat gjenden në kufinjtë kritikë të mbijetesës, të detyrohen të shkurtojnë më tej shpenzimet, që edhe ato të kontribuojnë në uljen e kërkesës agregate dhe në uljen e inflacionit.

Çfarë mund të bëjë më shumë?

Sikurse thashë, mjetet e Bankës Qëndrore janë të kufizuara dhe të gjitha konsistojnë në kufizimin e kërkesës, por nuk mund të zgjidhin problemet e mëdha strukturore që ka ekonomia e vendit dhe që kanë të bëjnë me ofertën, me anën prodhuese të ekonomisë. Banka vazhdoi të kufizojë sasinë e parasë në qarkullim, por as ajo masë nuk duhet të jetë shumë drastike, sepse mund të krijojë më tepër dhimbje për familjet shqiptare.

Pastaj, nuk duhet harruar se Banka e Shqipërisë merr vendime që janë, së paku pjesërisht, në linjë me vendimet e bankave të tjera evropiane. Kjo është një arsye tjetër pse ajo po praktikon një politikë monetare shtrënguese, në linjë me politikën e Bankës Qëndrore Evropiane (European Central Bank) dhe të bankave të tjera kombëtare.

Në kushtet ekonomike dhe financiare që ndodhet Shqipëria, a është i vendimi i qveris për rritjen e pagës minimale?

Sigurisht që jo! Jo vetëm për faktin se në kapitalizëm pagat duhet t’i vendosë tregu i punës, jo qeveria, por edhe për faturën financiare të saj. Në thelb, kjo është rritje rrogash me para të marra borxh. Madje, në një përpjekje të tillë ka edhe një dozë hipokrizie: Nëse të gjitha palët respektojnë rregullat e lojës, mungesa e fuqisë punëtore duhet t’i rrisë në mënyrë të paevitueshme pagat, edhe pa ndërhyrjen e qeverisë. Por kjo e fundit po nxiton të thotë “i rritëm ne”. Thënë ndryshe, në optikën më të mirë të mundshme, rritja e pagës minimale është një përpjekje për të arnuar problemet e mëdha sociale në Shqipëri. Në optikën më të keqe, ajo rritje është një lëvizje e rëndomtë për të fituar pikë elektorale.

Si mund ta përshkruani ekonominë shqiptare në këto momente?

Në bindjen time, mjerisht, ekonomia e sotme shqiptare i ngjason një anijeje në det të hapur së cilës vazhdon t’i hyjë ujë. Metafora mund të injorohet, por fakti mbetet. Ky fakt shpjegon edhe largimet nga Shqipëria. Dhe nëse, në vend që të gjenden zgjidhje, drejtuesit do të ankoheshin se historia e ujit në anije është e sajuar, kjo do të ishte diçka realisht trishtuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë