Treg

Ekonomia e Gjermanisë do të jetë në stanjacion pjesën e mbetur të vitit

Pasi ndodhet në stanjacion në tremujorin e dytë, prodhimi ekonomik do të ngecë përsëri në tre muajt deri në shtator, dhe më pas do të rritet me vetëm 0.1% në tremujorin e fundit, tregoi sondazhi i ekonomistëve i kryer nga 4-10 gusht.

Kjo është 0.1 pikë përqindjeje më e ulët nga pritshmëritë e një muaj më parë.

Ekonomia ende parashikohet të tkurret 0.3% në 2023, dhe ka të ngjarë të rimëkëmbet vetëm me 0.8% në 2024, nga një parashikim i mëparshëm prej 1%, thanë ekonomistët.

Industria gjermane po përballet me dobësi të vazhdueshme, mes kërkesës së dobët nga Kina, mungesës së punëtorëve, politikës monetare më të shtrënguar dhe pasojave të vazhdueshme nga kriza energjetike e vitit të kaluar.

Ekonomia më e madhe e Europës, parashikohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të jetë e vetmja që të pësojë rënie, midis vendeve të G7 këtë vit.

Në një raport të veçantë, Ministria e Ekonomisë e Gjermanisë paralajmëroi se “një rimëkëmbje e pritur përgjithësisht, ende nuk u materializua në fillim të verës”.

“Për sa i përket ekonomisë vendase, rimëkëmbja e pritshme e kujdesshme në konsumin privat, shërbimet dhe investimet, po shfaq shenjat e para të shpresës, të cilat ka të ngjarë të forcohen me përparimin e vitit”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, “kërkesa e jashtme ende e dobët, pasiguritë e vazhdueshme gjeopolitike, ritmet ende të larta të rritjes së çmimeve dhe efektet gjithnjë e më të dukshme të shtrëngimit monetar, po frenojnë rimëkëmbje më të fortë ekonomike”, sipas raportit. “Treguesit aktualë kryesorë, si porositë e reja dhe klima e biznesit, ende nuk tregojnë për një ringjallje të qëndrueshme ekonomike në Gjermani në muajt e ardhshëm.”

Pritjet e investitorëve ranë më tej, duke sugjeruar ndikimin nga çmimet e larta të energjisë, rritja e normave të interesit dhe kërkesa më e dobët globale. Kushtet më të shtrënguara të kredisë, do të thotë gjithashtu se Gjermania nuk do të fitojë shumë vrull, në tremujorët e ardhshëm.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë