Futboll

Egnatia shpallet për herë të parë kampione e Shqipërisë

Egnatia është ekipi kampion i Shqipërisë për herë të parë në histori. Rrogozhinasit triumfuan në finalen e madhe të “Final Four” ndaj Partizanit me rezultatin minimal 1-0.

Sfida u vendos nga një gol i Ibrahimoglu në minutën e 35-të.

Në një atmosferë elektrizuese, në stadiumin “Air Albania” u zhvillua një finale e madhe, teksa drejtësi në fushë vendosi gjyqtari i mirënjohur anglez, Anthony Taylor.

Të dyja ekipet u shfaqën mirë në fushë duke krijuar raste të rrezikshme por gjithçka u vendos nga Ibrahimoglu në minutën e 35-të i cili realizoi një gol spektakolar duke i dhënë avantazhin Egnatias.

Edhe në fraksionin e dytë të dyja ekipet patën disa raste të mira shënimi por asgjë nuk ndryshoi në rezultat. Në fund sfida u mbyll 1-0 për Egnatian, që fitoi titullin e parë në histori.

Një sezon fantastik për rrogozhinasit që përmbyllet me titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, teksa do të përfaqësojnë edhe Shqipërinë për herë të parë në histori në turin e parë eliminator të Champions League.

Pas përfundimit të ndeshjes finale në stadiumin “Air Albania” u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe titullit kampion ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi medaljet dhe titullin kampion ekipit të Egnatias. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë