Futboll

Egnatia mbretëreshë e Kupës ndërkohë që i ‘dhuron’ Europën Tiranës

Nga Gazeta Si- Egnatia është skuadra fituese e Kupës së Shqipërisë edhe për këtë sezon. Skuadra rrogozhinase mundi në finalen e Air Albania Stadium Kukësin me rezultatin 1-0 ku vendimtar u bë Ndreca.

Pjesa e parë pati shumë pak raste për shënim ku vlen të përmendet ai i minutës së 9 i Egnatias me Montenegro i cili u ndal nga Tafas me një pritje fantastike. Emocionet ishin të pakta deri në minutën e 38 kur Ndreca, një njohje e vjetër e Kukësit e ndëshkoi skuadrën verilindore duke shënuar golin e avantazhit për Egnatian dhe festa ishte e gjitha për rrogozhinasit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të Egnatias.

Minutat e para të pjesës së dytë ishin më të mira për Kukësin teksa u shfaq më kërkues për të gjetur golin e barazimit. Dhe në fakt Franci Lala pati një shans të artë për të shënuar për verilindoret por topi i gjuajtur prej tij përfundoi vetëm pak centimetra larg shtyllës së portës së Egnatias. Edhe në minutat në vazhdim, Kukësi kishte një ritëm më të lartë, por edhe te Egnatia kujdesi nuk ishte i pakët.

Mundësinë më të mirë për të barazuar Kukësi e pati në minutën e 75 me Lleshin, ndërkohë shumë shpejt Egnatia fitoi një 11 metërsh, por që nuk u shfrytëzua pasi portieri i Kukësit Tafas priti gjuajtjen e Fernandos.

Në minutat e fundit Montenegro pati rast për të shënuar golin e dytë për Egnatian, por Tafas reagoi shumë mirë. Në minutat shtesë Hasaj pati shansin më të mirë të gjithë ndeshjes për Kukësin por gjuajtja e tij u përplas në rrjetën e jashtme. Në fund rezultati mbeti 1-0 për Egnatian që ngriti trofeun e Kupës së Shqipërisë për herë të dytë në historinë e saj, por me këtë fitore të Egnatias feston edhe Tirana që siguron pjesëmarrjen në kompeticionet Evropiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë