Para

Efekti i kundërt, sanksionet po mbushin xhepat e Vladimir Putinit

Perëndimi ka argumentuar sanksionet e forta të vendosura ndaj Rusisë se ato godasin financimin e ushtrisë së Vladimir Putinit, që prej 24 shkurtit ka ndërmarrë një fushatë ushtarake agresive në Ukrainë.

Por, të dhënat sugjerojnë se efekti i luftës dhe i sanksioneve është i kundërt. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare, dy produktet të cilat nuk janë përfshirë te sanksionet perëndimore po mbush si kurrë më parë xhepat e Vladimir Putinit.

Megjithëse një pjesë e rezervave valutore të Rusisë jashtë saj mbetet e ngrirë, vendi ende gjeneron rreth 1 miliard dollarë në ditë nga eksportet e tij të energjisë.

Rusia ka ndaluar publikimin e statistikave të detajuara mujore të tregtisë. Por shifrat nga partnerët e saj tregtarë mund të përdoren për të përcaktuar se çfarë po ndodh dhe këto shifra sugjerojnë se, ndërsa importet bien dhe eksportet vazhdojnë, Rusia ka një suficit tregtar rekord.

Më 9 maj Kina raportoi se eksportet e saj të mallrave në Rusi ranë me mbi një të katërtën në prill, krahasuar me një vit më parë, ndërsa importet e saj nga Rusia u rritën me më shumë se 56 për qind. Gjermania raportoi një rënie mujore prej 62 për qind të eksporteve në Rusi në mars dhe importet e saj ranë me 3 për qind. Duke mbledhur flukse të tilla në tetë nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Rusisë, “The Economist” vlerëson se importet ruse kanë rënë me rreth 44 për qind që nga pushtimi i Ukrainës, ndërsa eksportet e saj janë rritur me afërsisht 8 për qind.

Importet kanë rënë pjesërisht për shkak të sanksioneve ndaj bankës qendrore ruse dhe dëbimi i disa huadhënësve nga rrjeti i shpejtë i mesazheve ndërbankare, që e kanë bërë më të vështirë për konsumatorët dhe firmat blerjen e mallrave perëndimore.

Elina Ribakova e Institutit të Financave Ndërkombëtare, një grup bankierësh, thotë se pasiguria rregullatore ishte gjithashtu një faktor i madh në fillim, pasi firmat perëndimore nuk ishin të sigurta se cilat banka ruse ishin nën sanksione. Ndërprerjet logjistike, përfshirë vendimet e firmave perëndimore për të pezulluar dërgesat në Rusi, kishin gjithashtu rëndësi. Zhvlerësimi i hershëm i rublës uli gjithashtu kërkesën ruse për importe, thotë Claus Vistesen nga Pantheon Macroeconomics, një konsulencë.

Eksportet e Rusisë, ndërkohë, janë mbajtur çuditërisht mirë, përfshirë ato të drejtuara drejt Perëndimit. Sanksionet lejojnë që shitja e naftës dhe gazit në pjesën më të madhe të botës të vazhdojë pandërprerë dhe një rritje e çmimeve të energjisë ka rritur më tej të ardhurat.

Si rezultat, analistët presin që suficiti tregtar i Rusisë të arrijë nivele rekord në muajt e ardhshëm. IIF llogarit se në vitin 2022 suficiti i llogarisë korrente, i cili përfshin tregtinë dhe disa flukse financiare, mund të arrijë deri në në 250 miliardë dollarë (15 për qind e PBB-së së vitit të kaluar), më shumë se dyfishi i 120 miliardë dollarëve të regjistruar në 2021.

Burimi "The Economist", Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë