Futboll

Edy Reja, magjistari i promovimeve

“Tuttosport” ka shkruar rreth trajnerit tonë të kombëtares, duke përmendur teknikët në Itali, që spikatën me punën e tyre, sidomos në ngjitjen e skuadrave nga kategoritë e ulëta në Serie A: “Reja lindi më 10 tetor 1945, në Gorizia, nga një familje me origjinë sllovene, duke treguar një predispozitë të fortë për futbollin që në moshë të vogël. Ai hodhi hapat e parë te San Lorenzo di Mossa, më pas u nis te Spal, ku do të fitonte një kampionat të rinjsh së bashku me Fabio Capello. Po ashtu, do të vishte fanellat e Palermo, Alessandria dhe Benevento.

Nga mesfushori në trajner, pasi vari këpucët në gozhdë, është hap i shkurtër. Dhe Reja meriton etiketimin e magjistarit të promovimit (ngjitjes në elitë), duke marrë parasysh katër raste skuadrash, që i katapultoi nga Serie B në Serie A. Më konkretisht, në 1997 me Brescia, në 2000 me Vicenza, në 2004 me Cagliari dhe, më në fund, në 2007 me Napoli. Në vitin 2009 provoi përvojën jashtë vendit, në stolin e Hajduk Spilt, ndërsa që nga viti i kaluar, në rolin e pasardhësit të bashkatdhetarëve De Biasi dhe Panucci, drejton Shqipërinë”.

Edoardo Reja, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, ka lënë gjurmë te skuadra e famshme napolitane. Piktura e portretit të Rejas është vendosur në stacionin e metrosë që të çon në stadiumin që tashmë mban emrin e legjendës argjentinase, Diego Armando Maradona, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor 2020.

Reja është mjaft i dashur për Napolin për faktin se e mori skuadrën në vitin 2005 kur militonte në Serie C dhe arriti ta ngjisë në Serie A e më pas në nivelet më të larta të futbollit italian gjatë katër viteve që ai punoi me këtë klub. Sigurisht, napolitanët nuk e kanë harruar dhe për këtë arsye portreti i teknikut të njohur është vendosur mes personazheve më të njohur të qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë