Rend dhe Ligj

Edmond Bego e bëri ‘burgun’ në shtëpi

Në vitin 2011, Edmond Bego, biznesmenit të ndaluar nga policia greke në Gumenicë sipas një urdhër-arresti të palës italiane, vlerësohej si një i burgosur “shembullor” dhe që për shkaqe familjare plotësonte kriteret për aplikimin e dënimit alternativ.

Kërkesa për ndryshimin e formës së dënimit është bërë nga ish-prokurori Sulejman Tola, i dorëhequr nga detyra para se të niste procesi i vettingut. Në atë kohë, Edmond Bego ndodhej prej dy vitesh e pesë muajsh në burg, për të vuajtur dënimin me 4 vite e 4 muaj të dhënë nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

Dënimin po e vuante në burgun e Fushë-Krujës dhe kërkesa për aplikimin e dënimit alternativ u dorëzua nga prokurori Tola në Gjykatën e Krujës. Kërkesa u mor në shqyrtim nga gjyqtarja Nazmije Pengili.

Në vendimin e dhënë, gjykata citon se nga burgu i Fushë-Krujës ka marrë një raport “shembullor” për sjelljen e tij dhe më pas përmend gjendjen e vështirë familjare.

“Familja e kërkuesit, përveç gruas dhe dy fëmijëve përbëhet edhe nga dy prindërit e tij, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe trajtohen me mjekim, si dhe gjendja në të cilën ndodhen është e vështirë. Gjithashtu ai ka një vëlla të paralizuar”, thotë gjykata.

Për këto arsye, thotë gjykata, pranimi i kërkesës për qëndrim në shtëpi të Edmond Begos do të ishte një ndihmë e madhe për familjen e tij dhe në këto kushte, në fund vendosi që ta detyrojë atë që të qëndrojë në shtëpi dhe të largohet prej saj vetëm në raste emergjence shëndetësore.

Gjykata detyron Begon që të ruajë kontaktet me shërbimet e provës deri në përfundim të dënimit. Pra, sipas këtij vendimi, Bego ka kryer në banesë 1 vit e 8 muaj “burgun” e dhënë nga Gjykata e Lartë në shtator të 2010.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë