Politike

Edi Rama vizitë në Turqi, një ditë para nisjes, e telefonon Nikos Dendias

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin për shtyp nga Drejtoria e Komunikimit të Presidencës turke, thuhet se gjatë takimeve dy ditore (6-7 janar),  marrëdhëniet bilaterale midis Turqisë dhe Shqipërisë do të rishikohen në të gjitha dimensionet, si dhe do të trajtohen hapat që mund të merren për zhvillimin e bashkëpunimit.

Në takime gjithashtu do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Por një ditë para vizitës zyrtare në Turqi, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Përmes një njoftimi të shkurtër në Twitter, Dendias shkruan: “Në një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë diskutuam zhvillimet e fundit në rajon”.

Nga ana e kryeministrit Edi Rama nuk ka ende një reagim për temat e diskutimit.

Pak ditë më parë, Dendias zhvilloi një bisedë telefonike edhe me ministren e Jashtme, Olta Xhaccka lidhur me marrëveshjen per Detin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë