Treg

Edhe Wizz Air redukton numrin e fluturimeve në Europë

Linja ajrore me kosto të ulëta Wizz Air ka shfaqur planin për të reduktuar disa prej itinerarëve të saj, kostot si dhe për të ngrirë rekrutimet për punonjës të rinj. E kjo për të kompensuar humbjet e linjës ajrore të pësuara nga përhapja e koronavirusit.

Linja ajrore që fokusohet në tregjet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore ka thënë se do t’i reduktojë fluturimet nga 11 marsi në vendet e goditura nga virusi e kryesisht këto reduktime do të jenë në Itali.

Vetëm para pak kohësh Wizz Air njoftoi se në 11 janar të këtij viti Wizz Air do të niste për herë të parë fluturimet nga Tirana për në Milano, Bolonja, Venecia, Verona dhe Piza. 

Wizz Air ka thënë se një “task forcë” është ngritur brenda strukturave të kompanisë për të adresuar implikimet financiare të shkaktuara Covid-19.

Masat e ndërmarra përfshijnë reduktime në kostot e biznesit e në shpenzimet e tepërta, ndalimin e rekrutimeve të punonjësve të rinj, anulimin e udhëtimeve jo esenciale si dhe krijimin e marrëveshjeve të reja me furnitorët për të pasur çmime më të lira në produktet e shërbimet e blera prej tyre.

Kompania Hungareze e listuar në Bursën e Londrës nuk ka dhënë informacion mbi magnitudën e efektik ekonomik të goditjes nga koronavirusi. Ajo është shprehur se është shumë e vështirë që në këtë moment të parashikojë e përllogarisë impaktin financiar nga virusi.

Ndërkohë qasje të ngjashme kanë pasur dhe linjat e tjera rivale të fluturimeve.

British Airways ka thënë të hënën se do të anulonte më shumë se 400 fluturime e nga këto shumica do të ishin itinerare të shkurta brenda Europës e më saktë midis vendeve si Italia, Franca, Austria, Belgjika, Gjermania, Irlanda dhe Zvicra.

Po kështu ka vepruar dhe kompania Ryanair, e cila këtë të hënë konfirmoi se do të anulojë 1 në 4 fluturime e kryesisht do të ishin ato që kanë të bëjnë me aeroportet italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë