Vende dhe Udhetime

Edhe turizmi i ‘gjetheve’ është ndikuar nga ndryshimet klimatike

Rezervimi i një udhëtimi për të parë gjethet shumëngjyrëshe të vjeshtës në Amerikë por bëhet çdo sezon e më i vështirë.

Këtë vit, kushtet e thatësirës në pjesën më të madhe të Amerikës, të ndjekura nga shirat e fundit në verilindje, kanë komplikuar kohën e udhëtimeve, thonë studiuesit që merren me rënien e gjetheve në vjeshtë. Gjithashtu edhe disa specie të cilat kanë mbetur të pambrojtura për shkak të thatësirave po dëmtojnë gjethet e pemëve.

Në Maine, disa pemëve po u bien gjethet më herët se zakonisht, ndërsa kushtet e mëparshme të thatësirës në Nju Jork kanë sjellë një sezon më të shkurtër të rënies së gjetheve, sipas departamenteve shtetërore të ruajtjes.

“Turizmi i gjetheve” është një biznes i madh në SHBA, veçanërisht në verilindje. Rreth një e pesta e vizitave në Maine dhe 25% e udhëtimeve vjetore në Malet e Bardha të New Hampshire ndodhin në vjeshtë, sipas zyrtarëve të turizmit në ato destinacione. Shumëllojshmëria e pemëve në to vende krijojnë një shfaqje ngjyrash që nuk shihet askund tjetër. Për shkak të kërkesës, shumë turistë rezervojnë muaj më parë.

Paparashikueshmëria është diçka që bizneset në këto destinacione janë përballur prej vitesh, duke i shtyrë ata të planifikojnë një sërë festivalesh dhe ngjarje të tjera për t'u siguruar që vizitorët të argëtohen.

Në Luginën e Lumit Mad të Vermontit, sezoni i verës ka zgjatur më shumë krahasuar me vitet e mëparshme.

"Duket sikur popullariteti i vjeshtës, të paktën në këtë rajon, është rritur, dhe ndërsa njerëzit janë përpjekur të vijnë këtu më shumë, ato kanë gjetur verë edhe në shtator dhe janë detyruar të ikin dhe të rikthehen më vonë”, thotë Ana Dan, pronarja e një prej restoranteve më të famshëm në Vermont.

Moti i ndryshueshëm e bën të vështirë parashikimin e rënies së gjetheve nga viti në vit, thotë Dan West, një entomolog në Kolorado.

Shkencëtarët dhe ekologët thonë se temperaturat dhe ndryshimet klimatike, nga thatësirat deri tek reshjet e mëdha do ta bëjnë më të vështirë parashikimin e kohës së rënies së gjetheve.

Udhëtimet e minutës së fundit janë të shtrenjta pasi kërkesa për udhëtime në kohën e vjeshtës mbetet e madhe. Një natë në tetor në Masaçusets është 340 dollarë, 41% më shumë nga 2019. Çmimi mesatar i hotelit në tetor në Bar Harbor, Maine, është 358 dollarë në natë, një rritje prej 77% krahasuar me tetorin 2019.

Koha dhe ngjyra e sezonit të gjetheve të vjeshtës varet nga lloji i pemës, temperatura, reshjet, sasia e dritës së ditës dhe faktorë të tjerë. Vitin e kaluar, New England pati një nga verat më të ngrohta dhe më të lagështa të regjistruara, që do të thotë se pemët në disa zona i mbajtën më gjatë gjethet dhe ndryshuan ngjyrën më vonë.

Këtë verë, pjesa më e madhe e verilindjes përjetoi një thatësirë. Që nga 15 shtatori, i gjithë Masaçusets ishte në kushte thatësire, sipas Monitorimit të Thatësirës së SHBA. Pemët në Vermont dhe Nju Hampshire në përgjithësi kanë ecur më mirë se ato në Masaçusets dhe Conecticut këtë sezon.

“Në Parkun Kombëtar Acadia të Maine, kulmi i ngjyrave të gjetheve ndodh më vonë se më parë”, thotë Stephanie Spera, pedagoge në Universitetin e Richmond, e cila drejton një studim në park. Në vitet 1950, ngjyra kryesore e gjetheve të vjeshtës ndodhi fundjavën e parë të tetorit. Tani, është rreth 10 ditë më vonë, thotë ajo.

“Për çdo gradë Celsius më të ngrohtë në shtator, është rreth 2 ditë e gjysmë më vonë”, tregon Spera.

Gjethet bien më herët në vitet e thatësirës. Ngjyrat mund të duken më të zbehta sepse gjethet e mbetura nuk kanë të njëjtin ekuilibër të sheqernave, thotë Nicole Keleher, drejtore e Departamentit të Ruajtjes dhe Rekreacionit në Masaçusetts.

Edhe Nju Jork ka përjetuar këtë vit thatësirë dhe Departamenti i Ruajtjes së Mjedisit thotë se kjo mund të shkurtojë sezonin.

Gjithsesi është diçka që kurrë nuk i dihet. Në Nju Jork, çdo javë bëhen raporte për gjethet e vjeshtës ndërsa turistët dhe bizneset presin kohën e duhur.

Agjencitë turistike thonë se kërkesa për turne në periudhën e rënies së gjetheve ka arritur dhe në disa raste ka tejkaluar nivelet para pandemisë. American Cruise Lines ka parë një rritje prej 30% të rezervimeve në krahasim me vitin 2019 për “lundrimin” shumëditor në lumin Hudson, i cili niset nga Nju Jork.

“Northeast Unlimited Tours sheh një rritje rreth 65% të biznesit nga fillimi i shtatorit deri në fund të tetorit”, thotë Michelle Pino, bashkëpronarja dhe bashkëthemeluesja e kompanisë. Vitet e fundit, gjethet kanë rënë më vonë, kështu që turnetë tetë-ditore të kompanisë fillojnë më së shumti në fillim të tetorit krahasuar me fundin e shtatorit. Por moti gjithmonë luan një rol kryesor, siç bëri thatësira këtë vit, thotë ajo.

Ajo tregon se është shumë e vështirë të prenotosh në kohën e duhur dhe shpesh herë është thjesht çështje fati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë