Para

Edhe të huajt në Shqipëri për prona. Rriten investimet e jashtme me 15%

Nga Gazeta 'SI' - Interesi i të huajve për investime në tregun imobiliar i Shqipërisë u rrit në 2024-n.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në tre muajt e parë të vitit, Investimet e Huaja Direkte, IHD, arritën në 354 mln euro, vlera më e lartë ndonjëherë për 3 muaj. Nga një vit më parë rritja raportohet me 15.3%.

23% e investimeve të reja, thotë BSH, shkuan në pasuri të paluajtshme dhe 21% në sektorin e ndërmjetësimit financiar. 13% e tyre ishin në fushën e hidrokarbureve, 5% energji dhe 5% komunikacion.

Në një anketë tjetër po të Bankës, tregohej se deri në fund të 2023-shit, nga të gjitha pronat e shitura në Shqipëri, 26% e tyre u blenë nga të huaj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikes, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%.

Banka thotë se një pjesë e IHD-ve janë riinvestime, rreth 209 mln euro ndërsa pjesa tjetër janë flukse të reja.

Vitin e shkuar, IHD-të sollën në Shqipëri 1.5 mld euro, nga të cilat 325 mln euro shkuan në pasuri të patundshme. Sipas BSH-së, investimet e huaja janë një ndër faktorët kryesorë të zhvlerësimit të euros në Shqipëri.

Tregu imobiliar në Shqipëri ka qenë prej kohësh investim tërheqës për të huajt; çmime të ulëta dhe klimë e mirë, duke u bërë kështu faktor me rëndësi për këtë sektor, sidomos në periudha atrofizimi.

Në zërin e investimeve të huaja që raporton Banka e Shqipërisë, blerjet në pasuritë e patundshme zinin 23% të totalit për 2022-shin. Në fund të të njëjtit vit, stoku i këtyre investimeve kaloi vlerën e 1.3 mld eurove. Banka tregonte asokohe se nga blerësit, vetëm 1/3 janë rezidentë të BE-së.

Tashmë nuk janë vetëm emigrantët që kthehen të blejnë prona në Shqipëri, por edhe të huajt. Më të interesuarit janë shtetasit e Europës veriore dhe qendrore, kryesisht polakë dhe çekë. Interesi për pasuri të patundshme mbetet për apartamentet e vogla në breg të detit dhe buxhet kryesisht nisin nga 40-50 mijë euro.

Ndonëse nuk ka një shifër nominale se sa banesa posedohen nga të huajt, BSH tregonte në indeksin Fischer se për gjashtëmujorin e parë 2022, 13% e pronave të shitura për të njëjtën periudhë i përkasin jorezidentëve nga 685 shitje që ishin bërë.

Gjatë vitit 2023 ndërkohë ka pasur dhe një rritje të konsiderueshme të ukrainasve që kanë blerë prona në Shqipëri. Durrësi mbetet më i preferuari i investitorëve të huaj dhe pritet të shtohet interesi. Durrësi është tërheqës jo vetëm për çmimin relativisht të ulët krahasuar me Jugun, por edhe për vijën më të gjatë bregdetare që mund të presë një numër të konsiderueshëm pushuesish dhe nje volum të lartë pronash në shitje dhe për aksesin më të lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë