Libra

“Edhe republikanët blejnë atlete”, batuta kult e Majkëll Xhordan

Një nga batutat më të famshme dhe më kontroverse të Majkëll Xhordan, ish-yllit të basketbollit amerikan, është: “Edhe republikanët blejnë atlete”. Një mënyrë e tij kjo për të justifikuar faktin që nuk kishte asnjë angazhim politik dhe social në kohën kur ishte në aktivitet. Ish-basketbollisti i Çikago Bulls nuk donte të kompromentonte marrëveshjet me sponsorët e tij.

Origjina e kësaj fraze që është komentuar shumë, është shpjeguar në librin e gazetarit të njohur amerikan të “Chicago Tribunë”, Sem Smith. Ai është autori i “best-seller”-it “The Jordan Rules” (Rregullat e Xhordanit). Smithe e ka ndjekur gjatë gjithë karrierës dhe në librin “Second Coming” tregon se sportisti kishte miqësi me senatorin afro-amerikan Harvei Gant, i cili dëshironte që Xhordan ta ndihmonte për të drejtuar Karolinën e Veriut në garën kundër republikanit Xhes Helms. Në atë kohë ylli i Çikagos e refuzoi ftesën, duke thënë se nuk ishte i interesuar për politikën dhe se nuk e njihte situatën.

Sem Smith, gazetari amerikan i basketbollit. Gazeta Si, 6 maj 2020

Në librin e tij, Smith shkruan: “Një mikut të tij i ka thënë: ‘Edhe republikanët blejnë atlete’”. Edhe sot Majkëll sulmohet për ato fjalë dhe është absurde. Fjalët e tij janë keqinterpretuar dhe është pjesërisht faji im, sepse unë i shkrova. Jam ndjerë shumë keq gjatë viteve të fundit. Xhordanit i pëlqente të diskutonte me gazetarët, i pëlqente t’i sfidonte në disa argumente, duke e thënë gjithmonë ai fjalën e fundit. Kur flitej për fushatën në Karolinën e Veriut, ai nuk fliste, sepse NBA i kishte kërkuar të mos përfshihej në politikë.

Për të diskutimi ishte si një ndeshje, donte të fitonte gjithmonë. Pasi foli pak, e mbylli bisedën me fjalinë: ‘Eh, edhe republikanët blejnë atlete’. Ishte mënyra e tij për të mbyllur gojën me një batutë dhe ia doli. Kur shkrova atë fjali, nuk sqarova se ishte një shaka e Majkëll Xhordanit. Për vite me radhë kam dashur të shpjegoj se ishte vetëm një batutë”. Smith ka thënë gjithmonë se është penduar shumë që nuk ka sqaruar kontekstin e fjalëve të ish-basketbollistit.

Përtej kontekstit të asaj fjalie, faktet mbeten: Xhordan gjatë viteve më të mira në sport nuk u prononcua publikisht për tema politike dhe sociale, duke u ekspozuar sa më pak, sipas udhëzimeve të agjentit të tij Devid Falk, i cili theksonte se sa më pak Xhordan shihej në të tilla raste, aq më i fortë bëhej imazhi i tij si ikonë. Por vitet e fundit ai është ekspozuar. “Kur luaja, mendoja vetëm për basketbollin. Isha lojtar profesionist dhe doja të isha në lartësinë e duhur. Tani kam më shumë kohë për të kuptuar gjërat që më rrethojnë, çështje të ndryshme dhe probleme. Jam më i impenjuar për të thënë fjalën time dhe për të mbështetur financiarisht për përmirësimin e situatës”, thotë vetë Xhordan.

Dhe mospërfshirja në politikë në atë kohë e ka bërë edhe më popullor Majkëll Xhoradin në Amerikë dhe kudo në botë. Me ardhjen e Tramp në krye të Amerikës, gjërat kanë ndryshuar dhe përfshirja e sportistëve në politikë nuk është më një tabu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë