Futboll

Edhe Ibrahimoviç pozitiv, Milani pa sulmues në Ligën e Europës

Pas Duartes, virusi protagonist i 2020-ës, Covid-19, ka krijuar të tjera probleme te Milani. Edhe Zllatan Ibrahimoviç ka rezultuar pozitiv me Koronavirus dhe do të humbë të paktën ndeshjen e sotme në Ligën e Europës ndaj norvegjezëve të Bodoe, “Play-off”-in e mundshëm të këtij kompeticioni, si dhe ndeshjet me Krotonen dhe Specian në kampionat.

Sipas të gjitha gjasave, Ibrahimoviç do të jetë gati për Milanin pas ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet ndërkombëtare, pra pas 11 tetorit. “Milan, - shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kuqezi, - bën me dije se Ibrahimoviç ka rezultuar pozitiv në tamponin e bërë para ndeshjes me Bodoen. Janë njoftuar autoritetet shëndetësore dhe lojtari do t’i nënshtrohet karantinës në shtëpi. Të gjithë tamponët e tjerë në skuadër kanë rezultuar negativë”.

Milani është në hall për ndeshjen e sotme sa i takon sulmit, sepse Leao vjen nga karantina, kurse kroati Ante Rebiç është i skualifikuar. Trajneri Pioli pritet t’i besojë sot në mbrëmje të riut Kolombo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë