Trend

Edhe ftohtë edhe nyjet e këmbëve zbuluar?!

“Ky ka qenë dimri, në të cilin kam ndjerë më shumë të ftohtë,  në të gjithë jetën time”, them me bindje, ndërsa dalim të drekojmë me kolegët,  gjatë një dite të zymtë shkurti. Edhe pse kam veshur shtresa  që nisin me kanotierën, një bluzë pambuku, pulovër, xhup pa mëngë dhe pallton e leshit, nuk arrij dot të ngrohem. Madje ndiej shpinën të më dhëmbë nga të kontraktuarit, si reagim ndaj temperaturave të ulëta, kurse duart dhe këmbët më ngjajnë si katër copa akulli. “Nëse nuk do t’i  kishe nxjerrë zbuluar nyejt e këmbëve, me siguri do të kishe më pak ftohtë” , ma pret kolegu im,  gjithnjë i kujdesshëm që përtej veshjeve termike të mbathë çorape të ngrohta dhe, ç’është më e rëndësishmja, të gjata mjaftueshëm për t’i mbuluar hapësirën mes këpucëve sportive dhe pantallonave.

Biseda rreth motit të ftohtë, që më ka paralizuar çdo dëshirë për të lëvizur dhe qortimet mbi nyejt e zbuluar të këmbëve është i përditshëm. “Ato nyejt e tu më fusin të dridhurat”, përsërit kolegu, i bindur se edhe një palë çorape të gjata janë po aq moderne, sa çorapet “gjurmë”, që humbasin diku brenda këpucëve për ta bërë veshjen e plotë, në koherencë me tendencat dhe të patëmetë. Tani që e sjell ndërmend, nuk e pata menduar dimrin kur vendosa t’u  fus gërshërët pothuajse të gjitha xhinseve që kisha në gardërobë, duke krijuar edhe prerje asimetrike, thekë të çrregullt që  nxirrnin zbuluar jo vetëm nyejt e këmbëve, por edhe ca më lart. Megjithëse gjatë një vizite turistike në fund të 2015-ës në Venecia, m’u duk e çuditshme e madje edhe qesharake pamja e nyejve të zbuluar tek djemtë, që dukeshin të patrazuar nga vjeshta aspak e ngrohtë e qytetit turistik.

Atëkohë tendenca sa pat filluar, ose të paktën atëherë e zbulova unë, ndërsa vite më pas do të përhapej me shpejtësi. Është shfaqje e rrallë të gjesh sot pantallona xhins, me gjatësi që ta mbulojnë nyjën e këmbës. Kështu  e pashë të udhës, për të qenë në harmoni me kërkesat e modës së kohës, t’i shkurtoja edhe xhinset e vjetra dhe t’i ktheja në më trendy.  Madje mendoja se isha më e vonuara që e bëja këtë, pasi të shohësh nyej zbuluar nëpër rrugët e Tiranës, është bërë një shfaqje krejt e zakonshme; djem dhe vajza të reja që përpiqen të ndjekin modën, e dinë se ky është një “must”.  Kështu bën edhe ime motër, e cila jeton në një qytet në veri të Italisë, ku temperaturat nën zero janë të zakonshme; kur nuk ka veshur këpucë me taka, nën këpucët e sheshta ka gjithnjë çorape të padukshme, që ia lejojnë nyejt zbuluar, për të mos i prishur tërësinë e veshjes, me pantallona serioze kostumi, që ashtu si edhe xhinset, kanë gjithnjë e më shumë prerje që e nxjerrin një pjesë të mirë të këmbës zhveshur. Ashtu siç bën pothuaj çdo bloggere mode në Instagram apo çdo profil të reklamon veshje apo këpucë, nyja e këmbës rrallëherë, për të mos thënë asnjëherë, është e mbuluar.  

Madje u habita, kur vura se shoqja ime e ngushtë, nuk e ka përqafuar këtë trend dhe xhinset e saj kanë gjatësinë, që dikur e konsideronim normale. Por edhe me to mund të ndiqet trendi, duke i përveshur aq sa të zbulosh nyejt. “Nuk mendoj se më vjen i ftohti nga nyejt, është aq pak lëkurë e zbuluar sa edhe po të mbulohej nuk do të bënte diferencë”, i drejtohem e bindur kolegut, i cili tashmë e ka kthyer në temë që shkakton të qeshura,  edhe pse në të vërtetë e ndiej sesi në ato ditët e ftohta i ndiej të mpira nyejt e mezi pres të shkoj në shtëpi për të veshur çorapet e gjata e të ngrohta e të rehatohem në kolltuk. E të mendosh që as kam qenë ndonjëherë ndjekëse e modës e aq më pak fanatike, aq sa për të sakrifikuar shëndetin!

Një artikull në Wall Street Journal,  titulluar “Është shkurt, por pse shohim aq nyej zbuluar gjithandej” , e risjell edhe njëherë bisedën gjatë pushimit të drekës, duke e kthyer në anekdotë. “Paskëshe të drejtë”, i them kolegut, “ndërsa i tregoj për artikullin e gazetares Betsy McKay, e cila përshkruan absurditetin e tendencës në një prej muajve më të ftohtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbërthyer nga i acari polar, me temperatura dyshifrore nën zero. Fatmirësisht një vend mesdhetar si Shqipëria nuk arrin në ato temperatura të frikshme, e megjithatë ky dimër nuk i ka kursyer ditët e acarta, që do e bënin një konservator të stilit “çorape të gjata, këpucë  e shtresa të ngrohta” , të lëshonte ndonjë thirrmë habie  a qortimi të tipit “A je çmendur që i nxjerr  zbuluar këmbët në këtë të ftohtë?!”  Por gjetkë, si në rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç vërente gazetarja e WSJ, tendenca nuk përqafohet vetëm nga të rinjtë apo tridhjetë e kusur vjeçarët (si unë). Artikulli niste me një 55-vjeçare, ekzekutive e kompanisë “Bayer AG”,  e quajtur Chelsea Eyrye, që në një ditë të acartë kishte zgjedhur të përvishte xhinset dhe të nxirrte jashtë nyejt e këmbëve, duke shkaktuar jo pak habi tek kolegët e saj, të cilët këtë tendencë në motin e ftohtë të qyteteve si Nju Jork, Nju Xhersi apo Çikago nuk do ta duronin dot as dhjetë minuta. Artikullin e shoh të postuar edhe në murin e një prej miqve të mi në Facebook.

“Në fillim doli jashtë përdorimit hekuri për hekurosje, duke nxjerrë masivisht, në përdorim xhinset, madje ato të grisura, që nuk kanë nevojë për hekur, e më  pas “T-shirts casual” dhe bluzat me rrudha dhe kanotierat me rripa. Pastaj u kalua te streçet, hoodies dhe pantallonat me bel poshtë, e tani dalim te këpucët, çizmet dhe atletet që vishen pa çorape me qafa, por me miniçorape”, shkruan miku në Facebook, me profesion ekonomist, duke ironizuar tendencat e fundit të modës, ndërsa bën edhe një parashikim të tendencave që do të vijnë në të  të ardhmen, “Në vijim do  të kalojmë te sandalet e helenëve dhe egjiptianëve, pelerinat e spartanëve, tunikat dhe sabatonet e romakëve  dhe te pendët e kondorit të fisit Maja!”

Të fiksuarit pas modës, e shohin shfaqjen e çorapeve të gjata si shpërqendrim nga tërësia e veshjes, pothuajse ekuivalente, thonë, me sandalet e veshura me çorape, edhe pse ka tendenca të tjera që u  shfaqën gjatë verë   ku sandalet, shapkat dhe atletet visheshin me çorape të gjata, të bardha, të pambukta, si ato të atletëve në gara. Çorapet e bardha mund të jenë një turpërim i modës veshur me këpucë lëkure, por fare mirë duken trendy me sandale apo edhe shapka. Për disa, fatmirësisht jo për të gjithë! Nyejt e zhveshur në dimër janë temë debati, saqë një uebsajt satirik gjerman ka postuar një histori vjeshtën e shkuar  duke përshkruar një tendencë të rreme mode: shaje për nyejt e këmbëve. Në Twitter nisi të qarkullonte një foto me një palë nyej të zbuluara të mbështjella me shaje të vegjël bojërozë me thekë.

Duke parë tendencën, prodhuesit e çorape po marrin masat, duke prodhuar sipas kërkesave çorape që nuk duken. Prodhuesit e çorapeve thonë se kërkesat janë të larta si në verë, ashtu edhe në dimër. Një drejtor mode dhe zëvendës president i markës Neiman Marcus,   thotë se të dalësh pa çorape është çliruese. “Pasqyron natyrën e zakonshme të modës dhe stilit të jetesës së kohëve të sotme”, thotë Ken Doëning. Kjo sipas tij, sepse njerëzit që zbulojnë nyejt e këmbëve janë gjithnjë në lëvizje, që i bën të mos e ndiejnë aq të ftohtin  ( jo krejt e vërtetë, të paktën për rastin tim) ose lëvizin me makinë (as kjo, në rastin tim). Shoqja ime e ngushtë nuk do të ma kursente nënqeshjen ironike, kur i thashë se nuk i mbaj nyejt e këmbëve zbuluar për të ndjekur modën. Por kur çorapet e gjata të rikthehen dhe madje të shënojnë tendencat e kohës, a do të ketë kritikë njësoj si në rastin e nyejve zbuluar? Ndoshta ndjekësit e modës nuk do të kenë pse të sakrifikojnë në ditë të acarta, vetëm për t’u dukur bukur...

*Suadela Balliu  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë