Futboll

E turpshme në Ballsh, Tirana i hap portën Bylisit në Kupë

Në stadiumin e Ballshit sot janë rikthyer disa pamje nga ato që i kemi parë edhe më parë dhe që ndoshta mendonim se kishin marrë fund njëherë e mirë, por për fat të keq, jo. Tirana, që e mbylli në avantazh 0-1 pjesën e parë të ndeshjes së parë gjysmëfinale te Kupës së Shqipërisë me Bylisin, bëri gjithçka që të humbte në pjesën e dytë.

E gjithë pjesa e dytë është luajtur në zonën e Tiranës, ku ballshiotët kanë shënuar 2 golat e përmbysjes me “djersën e ballit”. Kushdo që e ka parë ndeshjen, ka ndjerë keqardhje të thellë për faktin se si Tirana, klubi më i titulluar në vend dhe që po shkon drejt titullit të radhës kampion, i ka shtruar tapetin e kuq kundërshtarit.

Koeficientët në pushimin e ndeshjes, që "paralajmëronin" fitoren e Bylisit. Gazeta Si, 2 korrik 2020

Përmbysja e rezultatit u paralajmërua në pushimin e ndeshjes, kur koeficientët në kompanitë e basteve ishin krejtësisht kundër normales. Fitorja e Bylisit, në disavantazh të një goli, duhej të kishte një koeficient të lartë, por në fakt kuotohej e kundërta, me një koeficient 1.5. Koeficientët e basteve flisnin thuajse për një fitore të sigurt të Bylisit dhe teatri u vërtetua në fushë.

Sa për statistikë, golin e Tiranës e shënoi Hasani, kurse për Bylisin shënoi Murataj dy herë. Turpi i madh me siguri edhe këtë herë tri ditë do të zgjatë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë