Politike

E shkuar e harruar, Kardinali bën bashkë Metën e Doshin

Mentor Kasa - Përplasja mes Tom Doshit dhe Ilir Metës, ku deputeti akuzonte në atë kohë kreun e Kuvendit se kërkoi ta eleminonte fizikisht është pjesë e së kaluarës. Deputeti i Qarkut të Shkodrës dhe Presidenti i Republikës u ulën bashkë në një tryezë.

“Sebepi” ishte ditëlindja e Kardinalit shqiptar, Ernest Troshani, e festuar në Firence të Italisë. Nga festimet ka dalë edhe një video e shkurtër. Në të shfaqet Meta në krah të majtë të Kardinalit dhe Tom Doshi në krah të djathtë të tij. Në tryezë janë edhe gazetari Fahri Balliu dhe analisti Ilir Kulla.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/338477920039830/

Prania në të njëjtën tavolinë e Ilir Metës me Tom Doshin nuk do të dukej e çuditshme po të mos kishin ndodhur ngjarjet me zanafillë 2014, por që u shpërfaqën pranverën e 2015. Në ditët e para të marsit të 2015, Tom Doshi, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste bëri publike akuzën ndaj Ilir Metës, që mbante postin e kryetarit të Kuvendit.

https://www.facebook.com/shkodrapertomdoshin/posts/803993833026735

“Para afro 6 muajsh njoftova Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Brendshëm për një tentativë të Ilir Metës për të më vrarë mua dhe kolegun tim Mhill Fufin. Më vjen mirë që të gjithë këta zotërinj, dje dhe sot, e kanë pranuar faktin që unë e kam bërë këtë denoncim”, shkruante në atë kohë, Tom Doshi.

Postimi mbërrinte një ditë pasi grupi parlamentar socialist e përjashtoi nga radhët e tij, vendim që kulmonte pas disa deklaratave të vazhdueshme të Tom Doshit kundër kolegëve të tij socialistë dhe qeverisë PS-LSI. Po në këtë postim hidhte dyshime edhe për kolegët socialistë, prokurorinë dhe policinë.

“6 muaj rresht prita, duke kërkuar çdo ditë që të reagonte shteti për këtë denoncim, por askush nuk reagonte dhe sot dua ta di, pse nuk reaguan për 6 muaj? Më quanin vëlla dhe mik dhe më lanë të vritesha në pabesi. Nuk kërkuan kurrë të më ofronin mbrojtje dhe nuk më thirrën kurrë për të marrë prej meje më tepër detaje për skemën e vrasjes”, deklaronte ai.

Denoncimi publik i Tom Doshit bëhej në një kohë kur po diskutohej me më shumë ngulm ligji i dekriminalizimit dhe kishte tërhequr vëmendjen edhe të përfaqësive diplomatike ndërkombëtare. Ambasada Amerikane ishte më e drejtpërdrejtë. Ajo shprehte rezerva për vërtetësinë e akuzave të deputetit dhe i cilësoi ato shantazh ndaj Kryeministrit Edi Rama.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10152817577430838/?type=3

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet’, thuhej në deklaratën e ambasadës së SHBA.

Por, Doshi këmbënguli në akuzën e tij ndaj kreut të Kuvendit dhe në skenë dolën edhe emrat e Fatjon Skënderit dhe Durim Bamit. Ky i fundit, sipas Tom Doshit, ishte personi i ngarkuar nga Ilir Meta për ta eleminuar fizikisht.

https://www.facebook.com/shkodrapertomdoshin/posts/808832329209552

Sipas Doshit, Durim Bami u tërhoq nga krimi dhe e vuri në dijeni atë, ndërsa Fatjon Skënderi, sipas tij nuk kishte hequr dorë. Bami u arrestua, ndërsa Fatjon Skënderi jo. Këtë, deputeti e shihte si standard të dyfishtë të Prokurorisë dhe policisë nën presionin e Ilir Metës.

“Durim Bami ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi dhe më ka vënë në dijeni në lidhje me të për pasojë është i arrestuar e nën presion e terror policor, që të detyrohet të deformojë të vërtetën e pranuar më parë prej tij. Fatjon Skënderi nuk ka hequr dorë vetë nga krimi, por thjesht ju dekonspirua skema, ndërsa ndryshe nga i pari vijon bashkëpunimin me porositësin e vrasjes edhe për dështimin e proçesit hetimor për pasojë është i privilegjuar duke mos u marrë asnjë masë shtrenguese ndaj tij që të vijojë të mos thotë të vërtetën”, akuzonte Doshi.

Në gjithë këtë ngjarje u përfshi që shpejt edhe ish-deputeti Mark Frroku. Doshi deklaronte se Frroku e kishte njoftuar për “skemën” e vrasjes së tij. Në akuzat e Tom Doshit u përfshi edhe ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla, për të cilin deklaronte se po përdorej nga Ilir Meta.

https://www.facebook.com/shkodrapertomdoshin/posts/813429358749849

Vetë Ilir Meta i cilësoi politike të gjitha akuzat. Ai tha se kishte komunikuar drejtpërdrejtë me Tom Doshin dhe se ky i fundit në asnjë rast nuk i kishte përmendur emrin e tij si personi që donte ta vriste.

“Takimi që tani thotë Toma është një nga 100 variantet e tij. Ditën që u takuam nuk ndenjëm 4 orë se kishim punë të tjera. Asnjëherë nuk më ka thënë që vrasjen e dua unë. Ai më ka thënë që po e bën Berisha për të destabilizuar vendin”, deklaronte në “Opinion”, kreu i Kuvendit në atë kohë.

Prokuroria hetoi dhe mori dëshmitë e të gjithë personazheve në fjalë. Në fund të pandehur për dëshmi të rreme u morën Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami. Tom Doshi u shpall i pafajshëm në korrik të këtij viti, ndërsa Mark Frroku dhe Durim Bami u dënuan me nga 1 vit burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë