“Grenza e Uatfordit” ka vendosur të pushojë së fluturuari në fushën e “Vicarage Road”. Maskoti i skuadrës që po surprizon në Premier League këtë sezon me paraqitjen e deritanishme, “Herri Grenza”, më saktë Gareth Evans, ka njoftuar me anë të Tuiterit se ka dhënë dorëheqjen. Ai nuk do ta bëjë më maskotin e Uatfordit: "E lashë rolin e maskotit të Uatfordit, – shkruan në postimin e tij Evans. – Ishte një vendim i imi dhe jam krenar për atë çfarë kam arritur, për kujtimet që kam dhe përvojën e mrekullueshme. Ishte një privilegj dhe tani ndihem i trishtuar. Të dua shumë Herri!"
Arsyet e dorëheqjes së Evans nga roli i maskotit nuk janë bërë të ditura, por dyshohet se lamtumira e tij ka ardhur për shkak të kritikave të trajnerit Roi Hodgson para ndeshjes me Kristal Palasin, e luajtur më 26 gusht, për eposodin e famshëm mes “Harri grenzës” dhe sulmuesit Vilfried Zaha. Ky episod ka ndodhur në dhjetor të 2016-ës, kur maskoti i Uatfordit nisi të tallej me sulmuesin Zaha, i cili sapo ishte ndëshkuar me karton për simulim, duke iu hedhur përpara këmbëve.
"Ishte një provokim i turpshëm. Nuk është kjo ajo që pritet nga një ndeshje futbolli”, - tha trajneri Hodgson, duke sjellë në vëmendje atë që kishte deklaruar edhe Sem Allërdajs, në atë kohë trajneri i Kristal Palasit, që në rastin konkret kishte kërkuar edhe ndërhyrjen e Federatës së Futbollit në Angli kundër “Herri grenzës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.