Futboll

E kërkon Interi, por Vidal vdes të luajë për Boka Zhuniors

Emri i Arturo Vidal ka qenë më i lakuari javët e fundit në lidhje me merkaton botërore. Trajneri Antonio Konte e kërkon tek Interi, por duket se mesfushori rebel ka një dëshirë tjetër. Shoku i tij në kombëtaren e Kilit, Geri Medel, ka thënë se nëse Arturo Vidal do të largohet nga Barcelona, të zgjedhë Boka Zhuniors në Argjentinë.

Mesfushori i Bolonjës, Medel, gjatë një interviste për “Radio Continental”, nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me të ardhmen e Vidalit. "Ai vdes të luajë për Boka Zhuniors, me apo pa mua. E dashuron Bokën, është i vetmi që ndjek në rrjetet sociale Argjentinën dhe për të do të ishte një ëndërr”, - ka deklaruar mes të tjerash Medel.

Kontrata e Vidalit me Barcelonën skadon në vitin 2021 dhe duket e vështirë që kiliani të lërë Europën sesionet e ardhshme të merkatos, por hipoteza Boka Zhuniors mund të bëhet realitet për mbylljen e karrierës. E ardhmja e afërt duket ende te Barcelona për ish-lojtarin e Juventusit dhe Bajern Mynih. Edhe Interi duket i dorëzuar dhe kjo kuptohet nga fjalët e Piero Auzilios, i cili ka thënë: "Nuk është momenti për Vidal, kemi mesfushorë shumë të fortë në skuadër".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë