Rend dhe Ligj

E hëna vendimtare për Prokurorin e Përgjithshëm. Kush do votojë kë në KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet të hënën, më datë 23 shtator, për të miratuar listën e kandidatëve që garojnë për Prokuror të Përgjithshëm. Kjo mbledhje e anëtarëve zhvillohet pikërisht ditën që mbyllet afati për të apeluar vendimin e vettingut ndaj pretendentit kryesor Olsian Çela. Ai u konfimua në detyrë nga shkalla e parë e vettingut më datë 23 korrik 2019, duke u konsideruar i rregullt për të treja kriteret. Por gjatë kësaj kohe KLP qëndroi në pritje për të parë ndonëse do të kishte apo jo ankim ndaj këtij vendimi, ashtu siç e kërkon ligji. Më herët edhe vetë kreu i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi se gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm është në pritje të vettingut ndaj Çelës, një magjistrat i njohur.

Olsian Çela. Gazeta Si, 21 gusht 2019

Por në fakt gjatë kësaj mbledhjeje të KLP, kur u citua emri i Çelës pati një replikë nga ana e anëtarit të KLP, Gentian Osmani, i cili theksoi se gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ishte vetëm peng i vettingut për Çelën, por edhe kandidatëve të tjerë. Me këtë deklaratë kuptohet kontrolli nga DSIUK por edhe vetingu që vetë KLP duhet t’i bënte një tjetër kandidati që vinte nga jashtë radhëve të Prokurorisë që është z.Lulzim Alushaj. Avokati Alushaj, i diplomuar jashtë vendit, ndryshe nga prokurorët që janë në garë për drejtimin e Akuzës, duhet të kontrollohej nga KLP dhe të kishte një rezultat në këtë pikë. Sidoqoftë, siç kuptohet, KLP duhet ta ketë lënë në një moment të dytë këtë procedurë dhe ka preferuar të qëndrojë në pritje nëse do të ketë apo jo ankim ndaj magjistratit Çela, çka do të kuptohet gjatë orëve në vazhdim.

Arta Marku. Gazeta Si, 21 gusht 2019

Në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë znj.Arta Marku, e cila nga prokurore në Shkodër mori postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ajo u betua në Kuvend mes tymit dhe flakadanit. Znj. Arta Marku u kontrollua dhe u konfirmua nga vettingu për tre komponentët. Kandidatja e dytë është sërisht një femër, shoqe klase me Arta Markun, një magjistrate, znj.Fatjona Memçaj. Ajo u konfirmua nga vettingu për të tre komponentët, pas kontrolleve të pasurisë tepër modeste dhe të rregullt edhe në kriterin e figurës dhe aftësisë profesionale. Kandidiati tjetër është Olsian Çela, ka qenë shok klase me 2 kandidatet e tjera dhe i spikatur gjatë karrierës së tij, jo vetëm si prokuror por edhe në jetën akademike. I katërti nuk ka punuar asnjë ditë si prokuror, ndonëse synon të marrë timonin e Akuzës, z.Lulzim Alushaj, i cili vjen nga Italia, ku është diplomuar si avokat dhe së fundmi ushtron detyrën e mbrojtjes edhe për kompani të njohura.
E hëna do të jetë vendimtare për të katërt konkurrentët, për të cilët KLP do të deklarojë se secili për trej tyre përmbush apo jo kriteret për të vazhduar më tej garën drejt Prokurorisë së Përgjithshme. Mbledhja e KLP zhvillohet në kohën kur ky institucion ka mbetur me 10 anëtarë, pasi njëri prej tyre, Gentian Osmani u shkuarkua nga KPA. Për këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme ka çelur garën dhe përballë njëri-tjetrit, për karrigen bosh po zhvillojnë fushatën prokurori i krimeve të rënda Vladimir Mara dhe ish-drejtuesja e Prokurorisë Dibër Esmeralda Cami. Në fakt, fushata e tyre për të marrë votën e prokurorëve të thjeshtë ka edhe peshë influencash në prapaskenë, pasi vota e fituesit për në KLP, do të jetë vendimtare edhe për Prokurorin e Përgjithshëm të ardhshëm. Burime të Gazeta “Si” thonë se është bërë një ndarje votash paraprakisht mes znj.Markut dhe z.Olsian Çela. Më herët, KLP “humbi” edhe Antoneta Sevdarin, e cila u shfaq hapur pro kandidatit Olsian Çela. Ndërsa që pas shkarkimit, ajo u zëvendësua me Vate Staka,j që mendohet si votë pro për Arta Markun. Të tjerë anëtarë të KLP që janë apeluar në shkallën e dytë të vetingut dhe që janë në pikëpyetje janë Arben Dollapaj dhe Besnik Cami, ky i fundit votë pro Arta Markut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë