Treg

E hamë shumë bulmetin. Në 2019 u rrit prodhimi i qumështit

Djathi zëvendësohet me gjizën dhe salcën e kosit për shkak të çmimit

Shqiptarët vazhdojnë të jenë besnikë të konsumimit të bulmetit. Këtë e tregon edhe zgjerimi i vazhdueshëm i sektorit të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit që prej vitit 2014, megjithë problematikat e mëdha në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Por, sipas të dhënave, një pjesë e këtij zgjerimi i atribuohet formalizimit të sektorit të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2019, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar është rreth 140 mijë tonë, duke shënuar rritje me 0,49 %, krahasuar me vitin 2018.

Sasia e qumështit të prodhuar për konsum, në vitin 2019 është rreth 18 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 22,86 %, krahasuar me 2018.

Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 124 mijë tonë, duke shënuar rritje me 3,04 %, krahasuar me 2018. Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2019 është rreth 10 mijë ton, duke pësuar rënie me 16,78 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 5 mijë tonë, duke shënuar rënie me 15,41 %, krahasuar me vitin 2018.

Por, vihet re se tek nënproduktet e qumshtit, sasia e prodhuar e djathit sipas llojit të qumështit në vitin 2019 ka pësuar rënie me 6,79 %, krahasuar me një vit më parë dhe sasia e prodhuar e gjalpit pësoi rënie me 4,86 %, krahasuar me 2018. Ndërkohë, rritje shënoi sasia e prodhuar e djathit të përpunuar (djathë i shkrirë) me 2,14 % krahasuar me një vit më pare dhe sasia e prodhuar e gjizës dhe salcës së kosit.

Sipas ekspertëve, rënia e sasisë së djathit lidhet me kërkesën në rënie për arsye të çmimit të lartë të djathit. Por, thonë ata, duke patur zëvendësues gjizën dhe salcën e kosit, kanë pasur alternativa për të zgjedhur.

Dy të tretat e qumështit në BE bëhet djathë

Në vitin 2018 (të dhënat më të fundit), 156.8 milionë tonë qumësht janë përpunuar në Bashkimin Europian. Përpunuesit në BE prodhuan rreth 10.3 milionë tonë djathë, si dhe 2.4 milionë tonë gjalpë, e nënprodukte të tjera. Së bashku, prodhimi i djathit dhe i gjalpit përbënte 2.3 (67%) të të gjithë qumështit të destinuar për prodhimin e bulmetit.

Gjithashtu në Bashkimin Europian janë prodhuar 30.1 milionë tonë qumësht (rreth 17 milionë tonë prej qumështit të plotë dhe 13 milionë tonë prej qumështit të pasterizuar). Qumështi për t’u pirë përgjigjet për një të dhjetën (11%) të qumështit të përdorur për bulmet në 2018-n.

Gjermania prodhoi sasitë më të mëdha të djathit ndër vendet anëtare të BE-së (2.2 milionë tonë, apo rreth 22% të totalit të djathit të prodhuar në BE), e ndjekur nga Franca ( me një prodhim prej 1.9 milionë tonë apo 19% të totalit) dhe Italia me 1.3 milionë tonë dhe 13% të totalit të BE-së. Mbretëria e Bashkuar prodhoi 6.8 milionë qumësht për konsum në 2018, apo rreth 23% të totalit të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë