Ekspozite

E gjithë historia e pikturës në një ekspozitë

Ashtu si në muzetë e botës, Galeria Kombëtare e Arteve ka sjellë të gjithë arkivin e saj, me karikatura, piktura e skulptura në sallat e ekspozitave.Megjithëse nga të paktat institucione që i ka çelur dyert, në përfundim të mbylljes totale të vendit, ekspozita e fundit vjen jo thjesht si një alternativë , nga ato të paktat kulturore në kryeqytetin që po e rinis ngadalë sezonin artistik.  Është një rrugëtim nëpër të gjithë historinë e pikturës dhe skulpturës shqiptare, nga fundi i shekullit ’20, nga tablotë me nota impresionizmi të Vangjush Mios, te ngjyrat e ngrohta tek pikturat e Simon Rrotës, ku kostumet tradicionale të grave malësore shkrihen me kallëzat e arave dhe punët e përditshmërisë. Rendin kohor në ekspozimin e tablove, në sallën e madhe të Galerisë duket se e prish një pikturë, që siç zbulon ciceroni – një djalë i sapo diplomuar -është e kryeministrit.

Vangjush Mio

Për nga stili i pikturave të ekspozuara së fundmi prej tij, nga vizatimet në fletët e punës, që kaluan prej  galerive  europiane tek muret e  zyrës së tij në Kryeministri e deri tek kravatat e stampuara, me figurat abstrakte, tabloja me përmasa të mëdha është e ndryshme.E realizuar ndoshta gjatë viteve si student ose në hapat e para të karrierës së tij si piktor, tabloja duket një përfaqësim i një miti.

Për nga elementët etnikë, burra me shallin  e Rugovës  në hyrje të një shpelle dhe teposhtë një burrë i shtrirë, në gjysmë jetë që jehon elementë kristianë, ndoshta një Jozef i hedhur në pus nga të vëllezërit apo një Jezu në varrin prej guri, ndërsa këmbët e tij janë të lidhura me litarë që ngjasojnë si gjembaçë apo ringjalljen e Llazarit, por qefini ngjan më shumë si një flamur me shqiponjë dykrerëshe,përskuqurnga gjaku.  

Dikush mund ta shihte edhe si një risjellje e elementëve të artit bizantin në afresket e Onufrit apo Nikollës. “Nuk kemi ende një tekst kuratorial mbi pikturën”, thotë ciceroni, ndërsa ekspozita është ende “Under Construction”, ku çdo ditë u bashkohen vepra të tjera nga koleksioni i galerisë dhe etiketat  informuese mbi secilën vepër, ende mungojnë.

Bëhet fjalë për veprën “Pikëllimi i netëve kosovare”, që piktori Edi Rama e realizoi më 1989-n, kushtuar dramës kosovare. Mund të jetë frymëzuar  nga vrasja dhe varrimi i Jusuf Gërvallës, i vrarë më 1982-shin. Ishte më ’89 kur Millosheviç i heq Kosovës të drejtën e autonomisë.

Simon Rrota

Megjithatë, rrugëtimi nëpër pikturë është thuajse i plotë – mungon “Motra Tone” e Kolë Idromenos, që në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve është një lloj “Gioconde” shqiptare. Portretet shprehës  të Sadik Kacelit, Sofia Papadhimitrit, Zef Shoshit, e Zengove Kristo e Nikolla, të Foto Stamos e Mios.

Një vend qendror i është rezervuar tablosë së Spiro Xegës “Çeta e Shahin Matrakut”, që studiuesi i ndjerë  Gëzim Qëndro, i cili shërbeu një periudhë edhe si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve i pat bërë një analizë të hollësishme në librin “Heronjtë janë të uritur”.Ndryshe nga ç ‘ishte shkruar rreth përmbajtjes patriotike të subjektit të kësaj tabloje,  Gëzim Qëndro mendonte se Xega ka pasur në mendje diçka më të zakonshme, thjesht ngrënien e një darke. Një copëz nga jeta e përditshme e një çete kaçakësh që  sistemi i kaluar diktatorial e desh ta vishte me lavdinë e heronjve që luftuan për pavarësinë e vendit, nga Perandoria Osmane.

Çeta e Shahin Matrakut, Spiro Xega 1930.

Periudha e Realizmit në pikturën shqiptare, ndonëse e vonë dhe në përpjekje për të imituar apo gjetur frymëzim tek piktorët perëndimore pritet beftë nga një tablo e epokës më të gjatë në artin figurativ shqiptar, atë të Realizmit Socialist. Pikturat e kësaj periudhe, e induktuar drejtpërdrejt nga propaganda komuniste në përpjekje për të ndërtuar “Njeriun e Ri”, janë ato që zënë pjesën më të madhe të ekspozitës. Glorifikim i çetave të partizanëve, i punëtorëve që ndërtojnë “atdheun e ri”, pasqyrimi i grave luftëtare me tipare burrërore dhe të zhveshura nga çdo lloj sensualiteti.  Tablo me jetë nga uzinat, fabrikat, fonderitë, kooperativat vijnë me përmasa gjigante dhe subjekte ngadhënjimtare.

Elementët romantikë, religjiozë zhduken në një parajsë tokësore, ku e vetmja e vërtetë është materializmi, ndërsa portretet njerëzore humbasin çdo shprehi e gjendje emocionale, çdo rrudhë apo asimetri, duke u shndërruar në figura madhështorë, të patëmeta, gati-gati si shtatoret helenike të atletëve, por groteske. Periudhë të cilën, Maks Velo (pikturat e të cilit nuk janë vendosur në ekspozitë, megjithëse i ka dhuruar një koleksion GKA-së), e etiketoi si “Surrealizmi Socialist”, ku gjithçka vinte e ekzagjeruar, gjiganteske dhe mëtonte të krijonte një realitet imagjinar. Një lloj simulacra, që i bëri njerëzit të imitonin qëndrimet e subjekteve të pikturave e skulpturave.

Kjo epokë e artit, me ndikimin e drejtpërdrejt të diktatorit, i cili në shënimin e një ekspozite të arteve figurative më 1964, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të vendit, e shihte se e ardhmja e artit i përkiste realizimit socialist. Sipas diktatorit, puna e artistëve ishte delikate dhe e rëndësishme, pasi brumoste njerëzit e rinj me ndjenjën e së bukurës. E  bukura ishte gruaja e zhveshur nga linjat e harkuara, burrat luftëtarë ose punëtorë, jeta e lumtur në kolektivitet.   Megjithëse ikonoklazmi kis ndodhur më '67, ende shiheshin portretizimet e klerikëve si antagonistë.

"Mbjellja e Pemëve", Edi Hila, 1971

Edhe gjatë kësaj periudhe shohim tendenca për thyerje të Realizmit Socialist. Të frymëzuar nga katalogët e piktorëve të mëdhenj të artit perëndimor, që i huazonin fshehurazi në Bibliotekën Kombëtare. Është tabloja “Mbjellja e Pemëve” e Edi Hilës, e vitit 1971. Ndonëse në pamje të parë realiste, me detaje që respektojnë normat e induktuara nga Partia për artin socialist, është kombinimi i ngjyrave me të kaltrën që përzihet me grinë e të bardhën, duke krijuar një atmosferë si prej tjetër bote, magjike. Hila guxon me linjat femërore të gruas e luan me format, që nuk janë ato solidet me prerje të sakta, të socrealizimit. Për këtë u ndëshkua të punonte në veprimtari prodhuese, në pulari.

Ksenofon Dilo

 

Ka përpjekje drejt Kubizmit, si pikturat e Ksenofon Dilo apo ndikim nga Henri Mattisse tek Vallja e “Abdurrahim Buzës”. Ndikimin e Matisse e gjejmë të pasqyruar edhe në punët e Maks Velos, i cili guxoi të dilte nga skemat i frymëzuar drejtpërdrejtë nga të mëdhenjtë e modernizmit të pikturës botërore. Në një tjetër tablo të Abdurrahim Buzës me figurina malësorësh e malësoresh, titulluar "Lojëra tradicionle"të krijohet përshtypja e vallëzimeve transcendentale të Sufive, ndërsa për nga lëvizjet e plastika e subjekteve të tablosë gjithçka ngjan erotike, panseksuale, për të mos thënë homoerotike a safike.]

Një tjetër pikturë që paraqet skenën e një pikniku fëmijësh, në një sfond ku mbizotëron bojëqielli në nuanca të ujshme  të ndërmend serinë e “Kopshtit të ëndjeve  tokësore” parajsorë të Hieronymus Bosch.

Të  ekspozuara vijnë punë të Edison Gjergos, i dënuar në Spaç për tetë vite, për shkak të pikturave moderniste. Ishte “Epika e Yjeve të Mëngjesit” që ia preu në mes karrierën piktorit të talentuar.

Megjithëse piktor i Realizmit Socialit, nuk mund të mos ndalesh tek portretet e burrave të pashëm të Sali Shijakut, nga çetat e partizanëve, tek punëtorët e fabrikave dhe uzinave. Nuk mundon as piktura epike me gjoksin përballë topit të Mic Sokolit.

Vëmendja më e madhe e regjimit tek artet figurative u përqendrua tek skulptura në veçanti. Njerëz prej allçie, bronzi e bakri kanë mësyrë nga ajo periudhë me përmasat e tyre gjigante.

Nuk mundon emblematikja që shënjoi epokën e Realizmit Socialist e Hektor Dules “Në një dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Ka punë individuale, që kanë respektuar normat e skulpturë Soc-realiste, ndërsa në katin e dytë, ende të pluhurosura ka me dhjetëra skulptura, kryesisht në allçi, që të duken si ushtarët e terrakotës në Kinë.

"Në një dorë kazmën në tjetrën pushkën, Hektor Dule
Hektor Dule

Por mes tyre mund të dallosh qartë dorën e mjeshtreve si Odhise Paskali, ndërsa Kristaq Rama vjen i prezantuar me dy punime, një prej tyre është busti i diktatorit Hoxha. Giuseppe Garibaldi  gdhendur nga një trung druri të ngjan me Mihal Gramenon pak më tutje, punuar në baltë.

Ndonëse Galeria ka ofruar  edhe më herët shfaqje të koleksionit të saj, me seksionin e Realizimit dhe atë të Realizmit Socialist, hapja e arkivit në këtë formë, ku gjithçka duket se të vjen në inflacion bëhet udhëtim sa interesant aq edhe enciklopedik i historisë, jo shumë të gjatë të pikturës shqiptare, të paktën e dokumentuar dhe e ruajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita “Arkivi i Hapur” duket si një gjetje e lindur nga nevoja për ofertë artistike në kohët e pasigurta të pandemisë, megjithatë ciceroni thotë se  nevoja lindi më shumë nga tërmeti sesa pandemia. Për të mos rrezikuar edhe më degradimin në vendet ku ruhen veprat e koleksionit, drejtori Shkololli dhe stafi i Galerisë Kombëtare të Arteve menduan ta ekspozonin për publikun, edhe si një formë ruajtjeje.

Fundi Realizmit Socialit ndihet nga një tablo pesimiste, titulluar “Mbrëmje”, nga Agron Bregu, ku   të gjithë subjektet janë të ngecur në botët e tyre, në situatë pa zgjidhje e ku përcillet  angështia, ankthi e pazgjidhshmëria tek kundruesi.

"Mbrëmje", Agron Bregu, '89

Por ndonëse i hapur, me një fond të pasur të pikturave e skulpturave,  Galerisë Kombëtare i duhet të respektojë protokollin për të mos lejuar më shumë se 20 vizitorë në radhë, të detyrojë kundruesit të mbajnë maskë e para se t’i nisin drejt ekspozitës t’u matin temperaturën.

Edhe ceremonia e çeljes, megjithëse nuk solli ndonjë ekspozitë të re, kaloi pa bujë, duke shmangur grumbullimet. Por megjithë vështirësitë arti po lëviz dhe vizitorë, shumë syresh në moshë krejt të re, hyjnë herë pas here për një copëz historie të artit figurativ. S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë