Drejtësia

Dyshohet se do kryente atentat me tritol në Fier, lihet në burg Albi Mecini

Gazeta Si - Gjykata e Fierit ka lënë në burg Albi Mecinin, i cili një ditë më parë u kap me 21 kg eksploziv, ku dyshohet se do kryente një atentat në Fier.

Mecini ka refuzuar të flas para hetuesve në seancën e marrjes në pyetje pas arrestimit. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj se kush do të ishte personi që do të ekzekutonin dhe as detaje për porositësin.

Në gjykatë për masën e sigurisë do të pyetet sërish nga trupa gjykuese në lidhje me gjetjen e sasisë së madhe të lëndës plasëse artizanale.

Sasia e tritolit të sekuestruar nga policia, ishte montuar me telefon gati për shpërthim dhe disa litra benzinë.

Sipas policisë, Mecini gjithashtu dyshohet  për zhdukjen e dy personave në Sarandë, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari në 9 prill të këtij viti.

Mecini bashkë me një të ri tjetër dyshohet se rrëmbyen dy personat në prill të këtij viti për llogari të një grupi kriminal.

Po ashtu policia njoftoi se ka shpallur në kërkim dhe tre bashkëpunëtorë të tjerë të 29-vjeçarit që ishin bërë gati për të kryer një vrasje. Ata janë  Ervis Cukali, Sebastian Lataj dhe Arafat Manërkolli.

Mecini njihet dhe si miku i ngushtë i Admir Tafilit dhe është akuzuar nga Prokuroria e Korçës si bashkëpunëtor për arratisjen e Tafilit dhe 6 personave të tjerë nga burgu i Drenovës mbrëmjen e 23 nëntorit 2013.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë