Drejtësia

Albi Mecini hesht sërish, burg për të dyshuarin e zhdukjes së Fatmir Sulovarit e Leonard Thodhorit

Gazeta Si - Albi Mecini, i dyshuari për rrëmbimin e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë, është lënë në burg këtë të premte para nga Gjykata e Sarandës.

Nën masa të rrepta sigurie, ai u transportua nga Fieri në Sarandë për ngjarjen e disa muajve më parë, ku në rrethana misterioze u zhdukën Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.

Edhe në këtë proces gjyqësor Mecini nuk ka folur, ndërsa në vijim trupi gjykues vendosi vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Ai u arrestua pak ditë më parë në qytetin e Fierit, në aksin rrugor “Mbrostar-Fier” me 2 çanta brenda ku ndodheshin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë gjatë një kontrolli rutinë nga policia.

Gjykata e Fierit dha një ditë më parë masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Albi Mecini dyshohet se do të kryente një tjetër vepër të rëndë. Bëhet fjalë për ekzekutimin e një emri të njohur të botës së krimit në Fier.

Përmes inteligjencës informative, uniformat blu kishin të dhëna se do të kryhej një atentat me tritol ndaj një personi me rekorde kriminale që ushtron aktivitetin e tij në Fier, identitetin e të cilit policia nuk e tregon për shkak të hetimeve.

Por para hetuesve Mecini, i cili njihet dhe si miku i të dënuarit me burg përjetë Admir Tafili, nuk ka dhënë asnjë detaj se kush do të ishte personi që do të ekzekutonin dhe as detaje për porositësin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë