Drejtësia

Dyshohet për abuzime me tenderat, pezullohet prefekti i Qarkut të Kukësit, Granit Gjana

Gazeta Si - SPAK ka pezulluar nga detyra prefektin e qarkut të Kukësit, Granit Gjana, i dyshuar për shkelje të barazisë në tenderët për naftën në kohën kur ishte nënkryetar i bashkisë së qytetit verilindor.

Ai u pezullua pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Dyshohet se në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, Gjana ka penguar një subjekt të kualifikohet në dy procedurat e një tenderi për blerje karburanti. 

Sipas SPAK, Gjana, në shkelje të ligjit, nuk ka pajisur me autorizim për përdorimin e lëndëve djegëse një subjekt që garonte për një tender me vlerë 21 milionë euro për furnizim me karburant.

“Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit, pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj, i cili u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë