Drejtësia

GJKKO lë në fuqi masën e “pezullim detyre” për prefektin e Kukësit, Granit Gjana

Gazeta Si -GJKKO ka lënë në fuqi masën “pezullim detyre” për Prefektin e Kukësit Granit Gjana, i akuzuar për abuzim me tenderët në kohën kur ishte zv/kryetar i bashkisë në qytetin verilindor.

Gjana mbërriti në ambientet e SPAK mëngjesin e kësaj të enjteje, ndërsa është shprehur para trupës gjykuese se ka dhënë dorëheqjen për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i lirë.

“Do vazhdoj të ndjek të gjitha procedurat ligjore, nuk kam shkelur asnjë ligj kur kam qenë nënkryetar bashkie”, ka thënë ai.

Sipas SPAK, Granit Gjana me mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “Ufo Cengu” sh.p.k, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar kompaninë të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21 milionë lekë të organizuara nga Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. 

SPAK thotë se si pasojë e këtyre veprimeve janë dëmtuar interesat e ligjshëm të kompanisë “Ufo Cengu” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit për blerjen e karburantit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjana në cilësinë e zv/kryetarit të bashkisë, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj. Halilaj u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë