Gazeta Si – Për të shmangur dyshimet për manipulime të votave brenda listave të partive, kandidatët e PS-PD i kanë kërkuar KQZ videot nga procesi i numërimit.
Të paktën pesë kandidatë i janë drejtuar me një kërkesë të njëjtë kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, pasi dyshojnë për manipulime të votave brenda listave të partive.
Por kryeministri Edi Rama, i ka dërguar një mesazh kandidatëve socialistë, që të heqin dorë nga ky ankimim.
Bëhet fjalë për Blerina Gjylameti (PS), Ilir Alimehmeti (PD), Xhemal Qefalia (PS), Shkëlqim Shehu (PD) dhe Frrok Gjini (PS). “Na vini dispozicion pamjet filmike të numërimit në qarkun Tiranë”, shprehen në kërkesën drejtuar KQZ.






Edhe Etilda Gjonaj ka bërë kërkesë për verifikim përmes videove, por më pas, burime bëjnë me dije se është tërhequr nga kërkesa.
“Unë kërkuesja, në cilësinë e kandidates për deputete në zonën zgjedhore Qarku Tiranë për zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025, ju drejtohem me këtë kërkesë për të më vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve në të gjithë qendrat e numërimit të Qarkut Tiranë. Pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi. Siguroj se i gjithë informacioni i vënë në dispozicion nga ana juaj do trajtohet me përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi”, – lexohet në kërkesën e Blerina Gjylametit.
Gara mes dy zonjave socialiste ishte ‘kokë më kokë’ prej disa ditësh, ku në fund Olta Xhaçka mori 6213, kurse Blerina Gjylameti 6085.
Ndërsa mjeku Ilir Alimehmeti, humbi betejën për mandatin në kryeqytet me një diferencë të ngushtë me demokraten Jorida Tabaku.
Por pas kërkesës nga kandidatët e PS, për të kërkuar pamjet të numërimit të votave për qarkun e Tiranës, ka reaguar edhe kryeministri Rama.
Burime bëjnë me dije se Rama ka kërkuar në formë këshillë që të mos ndiqet kjo rrugë. Kryesocialisti ka urdhëruar që të hiqet dorë nga kjo metodë dhe u ka kujtuar socialistëve që janë një skuadër.
Dhe këto ankimime, sipas tij, do ta dëmtonin më shumë kandidatin humbës dhe të gjithë njerëzit që prej me shumë se një jave kanë numëruar. Gjithashtu, Rama beson se nuk ka pasur asnjë çrregullim në proces.
Edhe pse në mesazh Rama nuk i referohet me emër asnjë kandidati, shton që diferenca është e madhe për të pasur pretendime.
Mesazhi i plotë i Ramës
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.
Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.
E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”, mbyllet mesazhi i Ramës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.