Lajme

Dy “skifterë” kapen në Tiranë si hajdutë makinash

Dy persona janë arrestuar nga policia, në kuadër të një operacioni të ndërmarrë për parandalimin e vjedhjeve të automjeteve. Operacioni u ndërmor nga Komisariati i Policisë Numër 3 në Tiranë dhe drejtoria e Policisë së Shkodrës.

Të arrestuarit u kapen në flagrancë, ku pasi vodhën një automjet në Tiranë, tentuan të largoheshin në drejtim të Pukës, por mbi ta rëndojnë edhe katër vjedhje të tjera të kryera po në Tiranë.

Pas informacioneve se në rrugën “Palok Kurti” në Tiranë, dy “skifterë po tentonin të vidhnin një automjet, menjëherë policia ka finalizuar operacionin policor të koduar, “Shëtitësit”.

Mësohet se automjeti i vjedhur po shkonte drejt qytetit të Pukës dhe forcat e rendit kanë bërë kapjen dhe arrestimin e shtetasve: D. D., 38 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në rrugën “5 Maj”, Tiranë dhe Sh. K., 32 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, të cilët në momentin e ndalimit qarkullonin me automjetin e vjedhur kamionçinë në pronësi të shtetasit V.M.

Bazuar në pamjet filmike, dyshohet se shtetasit e arrestuar janë edhe autorë të katër vjedhjeve të kryera më parë në qytetin e Tiranës dhe konkretisht: në rrugët “Don Bosko”, “Sejdini”, “Gjergj Legisi” dhe “Kadri Roshi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë