Politike

Dy orë e gjysmë protestë, opozita zbutet para ndërkombëtarëve

Ndryshe nga të tjerat, protesta e gjashtë kombëtare e opozitës kundër qeverisë, ka zgjatur më pak, rreth dy orë e gjysmë. Por ajo që vlen për t’u theksuar, është fakti se këtë herë ajo ishte paqësore.

Këtë herë, nuk kishte bomba molotov, tymuese, fishekzjarre, as te Kryeministria dhe as te Kuvendi, ku këtu policia përdori vetëm për një moment ujëhedhëse, pasi turma po rrëzoi gardhin metalik dhe iu afrua kordonit të parë të policisë.

Ashtu siç ishte parashikuar, protestuesit nisën të mbushnin sheshin para Kryeministrisë rreth orës 19:00, ku spikasnin parrulla të reja që “Zgjedhje pa opozitën nuk ka” dhe pas gjysmë orë, me ta ishin bashkuar liderët kryesorë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Që në nisje të fjalimit të tij, kryedemokrati tregoi qartë se opozita nuk ka ndër mend të dorëzohet dhe të bëjë asnjë hap pas, nëse kryeministri Rama nuk largohet nga pushteti.

Basha përmendi sërish qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakoshhme. Një ndryshim i dukshëm nga protestat e tjera, ku ran ë sy ulja e tensionit dhe zbutja e deklaratave kundrejt ndërkombëtarëve. Pikërisht për këta të fundit, Basha dha mesazhe bashkëpunimi, por kërkoi edhe edhe një monitorim më realist të situatës.

Këtu organizatorët kishin menduar që protestës t’i jepnin shenja ironie dhe sarkazme, ku dhjetëra balona ndriçuese pushtuan qiellin e Tiranës me mbishkrimin “Rama ik!”. Më pas, në murin e Kryeministrisë, projektori shfaqte mesazhe të shumta kundër Rilindjes.

Pas rreth një orë fjalim, kreu i opozitës, ashtu si në protestat e tjera fton manifestuesit të zhvendosen drejt Kuvendit.

Një marshim, ku u shënua një incident i vogël, të cilën u mundua ta shuajë shumë shpejt Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. Tubimi u mbyll me një fjalim të liderit demokrat Lulzim Basha në selinë blu. Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi bëri thirrje për të mos pasur akte dhune.

Protesta e sotme vjen në një moment ndryshe nga tubimet e tjera, pasi ndërkombëtarët, konkretisht Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar krizën politike në Shqipëri, edhe pse Basha i ka vendosur kusht Berlinit për dialogun duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama.

Megjithatë, protesta ishte kryesisht e qetë dhe paqësore, kjo falë edhe paralajmërimeve të ambasadës së SHBA-së në vendin tonë dhe misionit të OSBE-së dhe BE, ku dhuna do të ishte e patolerueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë