Lajme

Dy operacione në Tiranë, 3 të arrestuar, sekuestrohen drogë dhe para

Policia e Tiranës ka ndërmarrë dy operacione të ndryshme dhe ka vënë në pranga tre persona që akuzohen për shpërndarjen të drogave të forta në doza të vogla.
Nga operacioni policor “Farka”, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 30 vjeç, banues në Elbasan dhe I. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Siç njofton policia, për këta shtetas ishte marrë informacion në rrugë operative se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike kokainë, kryesisht gjatë mbrëmjes, në zonën pranë liqenit të Farkës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Agush Gjergjevica”, këta shtetas janë kapur në flagrancë me 11 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 37 300 lekë dhe një sasi valute, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 3 aparate celulare.
Po gjatë orëve të fundit, në sajë të operacionit “Alliasi”, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 57 vjeç, banues në Tiranë. Për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion në rrugë operative se ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta, kryesisht heroine, në zonën e Alliasit, Tiranë.
Në rrugën “Njazi Meka” ky shtetas është kapur në flagrancë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, me doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë 8.4 gr. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti 2 thika, qese farmaceutike, një peshore elektronike, 3 800 lekë dhe 3 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Janë sekuestruar në total gjatë kontrolleve të ushtruara: 11 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 8.4 gramë lëndë e dyshuar heroinë, 6 aparate celulare, 2 thika, peshore elektronike, 41 100 lekë dhe një sasi valute, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë