Libra

Dy libërtha që vogëlushët të mposhtin tërmetin dhe pandeminë

Është promovuar seria e libërthave për fëmijë që synojnë jo vetëm mbështetjen psiko-emocionale tek grupmosha 4-13 vjeç, të cilëve iu dedikohen këto dy libra. Aftësimi i brezit të ri për të përballuar situata emergjence, siç ishin goditjet dhe pas goditjet e tërmeteve në muajt e fundit të 2019-ës, ashtu sikurse dhe pandemia COVID-19 janë thelbësore për lehtësimin e tronditjes psikologjike jo vetëm tek të vegjlit, por edhe për rimëkëmbjen e familjeve të tyre dhe këtë synon kjo nismë.

Dy publikimet, vijnë në partneritet mes Fondacionit Together Albania dhe World Vision Albania në përgjigje të nevojave të fëmijëve dhe familjeve shqiptare ku shifrat e publikuara nga World Vision Albania në dy raportet e prodhura gjatë këtyre 2 situatave tregojnë se sipas prindërve, tre të katërtat e fëmijëve ishin të frikësuar dhe të traumatizuar pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe 35 për qind e tyre po shfaqin nivele të larta stresi dhe ankthi si pasojë e pandemisë.

“Trinka dhe Semi - Dita kur toka u lëkund” dhe “Mposhtja e virusit të madh: Trinka, Semi dhe Qyteza punojnë tok”, të përshtatur në gjuhën shqipe janë një mjet shumë i mirë për të forcuar marrëdhënien prind-fëmijë, ndërsa kalojnë kohë së bashku duke iu lexuar fëmijëve, ata mund të flasin dhe të ndihmojnë më të vegjlit të flasin rreth ndjesive që kanë përjetuar në periudhën pas tërmetit dhe po përjetojnë gjatë periudhës së pandemisë së Covid 19: frikës, izolim, ankthit, stresit dhe ndjesive të ndryshme që fëmijët përjetuan.

Tregimet e sapo publikuara nga Fondacioni Together Albania në kuadër të projektit “Le të flasim për tërmetin”, të mbështetur nga World Vision Albania shoqërohen me udhëzime të detajuara për prindërit dhe profesionistët e fushës siç janë mësuesit, psikologët, apo punonjësit socialë të cilët luajnë një rol kyç për të zvogëluar frikën, për të krijuar siguri si dhe për të rikthyer qetësinë fëmijët.

Përveç narracionit, librat janë konceptuar edhe për ngjyrosje, në këtë mënyrë fëmijët kanë një mundësi më shumë për t’u argëtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë