Futboll

Dy kryesuesit e Superiores sot në fushë, ndeshja e parë zyrtare për Shehin te Partizani

Gazeta Si - Pas derbit të djeshëm Dinamo-Tirana, që u fitua 2-3 nga bardheblutë, java e 19-të e Superiores luan sot edhe dy ndeshje të tjera. Në fushë zbresin dy skuadrat kryesuese, Egnatia dhe Partizani.

Egnatia pret Skënderbeun pas një merkatoje që e ka ndryshuar jo pak, sidomos në sulm. Nga rrogozhinasit kryesues janë larguar Isgandarli, Paulauskas, Musta, Janku e ndonjë tjetër, megjithatë klubi ka bërë afrime për t’i zëvendësuar. Mbetet të shihet tani kualiteti i atyre që kanë ardhur dhe a do të jetë në gjendje Egnatia ta mbajë kreun.

Partizani, që qëndron 5 pikë prapa vendit të parë, luan sot ndaj Teutës (ora 17:00). Do të jetë ndeshja e parë zyrtare për trajnerin Orges Shehi në stolin e kuq, pas dy miqësoreve të luajtura në Turqi, ku u zhvillua një minifazë përgatitore. Në letër Partizani është favorit për fitore sot ndaj durrsakëve të vendit të fundit.

Edhe kampionët në fuqi kanë bërë ndryshime në organikë. Janë larguar disa lojtarë, si Grezda, Bilali dhe Da Silva. Në anën tjetër, blerja më e madhe është rikthimi i Xhuljano Skukës, i marrë në formë huazimi deri në fund të sezonit nga francezët e Metz.

Orges Shehi, ish-portier i Partizanit, ka detyrën që të mbrojë titullin, kështu që duhet të rikuperojë sa më parë diferencën me Egnatian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë