Futboll

Dy botë të kundërta në stol, shifrat kurorëzojnë Konten në derbi

Të shtunën në “San Siro” do të jetë një sfidë totale. Jo vetëm në fushë, por edhe në stol, ku përplasen dy stile dhe dy filozofi loje të ndryshme. Inter-Milan do të jetë edhe një Konte-Pioli, të ndryshëm edhe në karakter, që ndeshen për herë të dytë, pas fitores 4-2 të Interit më 9 shkurt. Në atë ndeshje fati i buzëqeshi trajnerit zikaltër, falë një përmbysjeje spektakolare, ku Pioli rreshtoi një Milan gati perfekt për 45 minuta.

Tani trajneri kuqezi kërkon “hakmarrjen”, kurse Konte synon të konsolidojë urinë e tij si një specialist i derbit. Mentaliteti dhe ambiciet janë ndoshta pika e vetme e takimit trajnerëve të Interit dhe Milanit. Për pjesën tjetër, Konte dhe Pioli përfaqësojnë dy universe paralele. Përballë karakterit vullkanik të Kontes, gjithmonë gjaknxehtë, është qetësia e Piolit, aspak polemik dhe gjithmonë larg reflektorëve.

Diferencat respektive karakteriale reflektohen patjetër edhe në stilin e lojës. Konte “predikon” intensitetin dhe sforcon kolektive, mbi këto vlera i ka ndërtuar gjithmonë skuadrat e tij muskuloze. Pioli, në anën tjetër, kërkon dinamizëm dhe harmoni, duke gjykuar se loja e bukur dhe rezultati duhet të ecin me të njëjtin hap. Të dy kanë imponuar markën e tyre në skuadrat që kanë drejtuar, por jo domosdoshmërisht kanë vetëm një formulë fituese.

Pjesa e parë e derbit të 9 shkurtit, për shembull, i dha të drejtë trajnerit kuqezi, por pjesa e dytë i dhuroi trajnerit Antonio Konte një nga sukseset më egzaltues në vitin e parë si zikaltër. Të shtunën është prova e dytë për këta dy trajnerë në derbi.

Moment nga derbi Inter-Milan, 4-2. Gazeta Si, 16 tetor 2020

Në fakt, dy trajnerët kanë treguar tendencë diametralisht të kundërt më parë në ndeshjet derbi. Kur drejtonte Lacion, Stefano Pioli ka koleksionuar vetëm rezultatet zhgënjyese në derbi, 3 humbje dhe 1 barazim ndaj Romës, 2 barazime në Milano si trajneri i Interit dhe 1 humbje si trajner i Milanit.
Antonio Konte ka bërë të kundërtën, ka një bilanc perfekt në Itali si trajner i Juventusit dhe Interit. Trajneri nga Leçe ka vetëm fitore në derbi, katër në Torino dhe dy në Milano. Ndryshe kanë shkuar punët për të në Angli, ku në krye të Çelsit ka vuajtur kundër Arsenalit, me një fitore dhe katër humbje.

Në përplasjet direkt mes tyre, duke përfshirë edhe periudhën 2011-2014, kur Konte drejtonte Juventusin dhe Pioli Bolonjën, shohin fitues trajnerin e Interit, me 4 fitore dhe 1 barazim. Ndeshja e nesërme do të jetë një kapitull i ri për të dy dhe mbetet për t’u parë se cilido të buzëqeshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë