Politike

“Dushi” i Merkel për opozitën: Nga rozë, perspektiva europiane e Shqipërisë, e zezë

“Shqipëria po humbet besimin e partnerëve europianë dhe po rrezikon negociatat”. Ky ka qënë paralajmërimi i grupit parlamentar i CDU-CSU në Bundestagun gjerman, i cili kryesohet nga partia e kancelares Angela Merkel.

Në një reagim zyrtar ai thekson se zhvillimet e fundit politike në Shqipëri kanë “errësuar” perspektivën e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian në qershor.

Sipas zëdhënësit të grupit parlamentar, Florian Hahn, Shqipëria është duke humbur ndjeshëm besimin e partnerëve europianë.

"Shqipëria po humbet kredibilitetin e miqve evropianë. Nesë perspektivat për negociatat e pranimit në BE ishin ende rozë në mes të vitit të kaluar, tani janë errësuar nga retë të zeza”, thekson ai.

Sipas CDU / CSU protestat e vazhdueshme në Tiranë kanë paralizuar qeverinë dhe parlamentin si dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Lulzim Basha

"Protestat dhe demonstratat jane të drejta qytetare dhe një tipar i demokracisë kur trajtohen në mënyrë adekuate, por deputetët shqiptarë po dëmtojnë demokracinë për dhe po shkaktojnë një bllokim politik. Vendimi i tyre për djegien e mandatit dhe nxitja e protestave të dhunshme nuk e ndihmon vendin apo popullin”, thuhet në deklaratën zyrtare të grupit parlamentar gjerman. Prandaj, i bëj thirrje miqve tanë në Shqipëri të tregojnë maturi. Qeveria dhe opozita duhet të fillojnë menjëherë diskutimet. Perspektiva evropiane është në rrezik", thekson CDU/CSU.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë: Opozita ka gabuar me mandatet

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e quan të gabuar djegien e mandateve parlamentare të deputetëve të opozitës.

Në një prononcim për Deutsche Welle të enjten në Berlin, Ministria e Punëve të Jashtme shprehet se “platforma e duhur për zgjidhjen e konflikteve politike është Parlamenti.”

“Po i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet aktuale politike në Tiranë. Bojkotimin e Parlamentit dhe në veçanti dorëheqjen e deputetëve e konsiderojmë të gabuar. Platforma e duhur për të zgjidhur konfliktet politike është Kuvendi. Ngecja në vend nuk është opsion për Shqipërinë e sidomos kur Shqipëria është në pritje të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Edi Rama

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzane Shutz ka mbajtur të njëjtin qëndrim, ku përveç ftesës për dialog mes opozitës dhe mazhorancës, bëri thirrje që të shmanget çdo formë e dhunës.

Berlini: Akuzat e opozitës për vjedhje vote të trajtohen nga drejtësia

Në një deklaratë të dytë . Ministria e Jashtme gjermane ka theksuar se akuzat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen nga drejtësia dhe parlamenti. 

“Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti. E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane. 

Berlini zyrtar e cilëson dhunën si të papranueshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë