Politike

Duma, Salianji e Hoxha do të jenë në protestën e Berishës. Alibeaj kundër, Açka: Protestën time e kam bërë çdo ditë  

Një ditë pasi Sali Berisha caktoi pjesën më të madhe të tyre për të organizuar protestën e 7 korrikut në bazë, disa nga deputetët e PD-së, të papozicionuar në konfliktin e brendshëm, kanë deklaruar se do të bëhen pjesë e saj.

Ervin Salianji ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e datës 7 Korrik të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha.

Salianji deklaroi se kushdo duhet të bëjë maksimumin dhe veçanërisht ata që kanë kërkuar mbledhjen e protestës.

“Pa diskutim që protesta e 7 korrikut duhet mbështetur. Kushdo duhet të bëjë maksimumin. Përgjegjësia është e atyre që janë thërritur. Pa diskutim ata janë në të drejtën e tyre të bëjnë grupe pune dhe deputetë të tjerë janë në të drejtën e tyre të bëjnë grupe të tjera pune. Nuk mund të bëhen grupe pune në mënyrë të njëanshme dhe të paorganizuar. Shqipëria ka 1001 arsye për të protestuar. Shqipëria varfërohen më shumë dhe largohen nga Shqipëria. Ky është themeli i protestës.

Demokratët nuk janë as kishë as xhami. Këtu ka përfaqësim. Unë nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim në krahasim me atë që kam thënë më 6 mars. Nuk kam asnjë qëndrim pas 6 marsit. Në politikë vota është realiteti që unë nuk mund ta shmang. Unë kam bërë një betejë për demokratët duke menduar se cila është rruga më e mirë. Demokratët kanë menduar ndryshe”, deklaroi Salianji.

Ndërkohë Grida Duma ka deklaruar se do jete pjese e protestes se thirrur nga Sali Berisha me 7 Korrik dhe se do bëjë thirrje për sa më shumë pjesëmarrje.

Sipas Dumes, “protesta do bashkojë demokratët pastaj se çfarë do bëjë hierarkia lart është çështje më e madhe se kaq”.

E pyetur nëse do të angazhohet për të thirrur njerëz në protestë, Duma u përgjigj:

“Absolutisht po. Kanë bërë shumë mirë që i kanë përfshirë deputetët kudo. E mira është përveç përfshirjes të kërkonin dhe mendime më tej se sa përfshirja. Duhet të kuptojmë qartë që grupi parlamentar duhet të ketë prestigjin e të respektohet si i votuar nga demokratët dhe nga shqiptarët.

Si të tillë nuk është vetëm çështje që të jemi në grupe pune, duhet patjetër të konsultohen të gjithë deputetët sa i takon strategjisë që do të ndiqet. Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do bashkojë demokratët pastaj se çfarë do bëjë hierarkia lart është çështje më e madhe se kaq”.

Sipas saj, strategjia është të ketë pjesëmarrje së pari. “Unë nuk kam qenë në ato takime e grupe, por e di shumë mirë që kontakte me kolegët që janë në grupe do mbajmë patjetër”.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike Flamur Hoxha, ish-sekretar organizativ në PD gjatë kohës kur drejtohej nga Lulzim Basha ka deklaruar se uron që shqiptarët të protestojnë kundër rritjes së çmimeve ashtu si protestuan pas masakrës së 25 Prillit.

Ai deklaroi se strukturat e PD janë gjithmonë e më të bashkuara, ndërsa shtoi se bashkimi është detyrim për forcën më të madhe opozitare.

“Uroj që shqiptarët të protestojnë si pas masakrës së zgjedhjeve të 25 Prillit në të gjithë qarkun e Kukësit. Ky është një rast që të protestohet nga çdo shqiptar jo vetëm nga ata që jetojnë këtu, por edhe ata që janë larg dhe që duan që Shqipëria të ndryshojë.

Strukturat e PD janë gjthmonë të bashkuara. Dhe ne e kemi për detyrë të bashkohemi edhe me ata që i bashkohen forcës më të madhe opozitare, Partisë Demokratike. Në këtë kundërt kot hyjmë në këtë parlament”, deklaroi ai.

Ndërkohë Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e 7 korrikut, të thirrur nga ish-kryeministri Berisha. E larguar nga Basha, ajo ftoi të gjithë kolegët deputetë të opozitës që të lënët ndasitë mes tyre dhe t’i bashkohen grupeve të punës së protestës, pasi duhet të përfaqësojnë qytetarët opozitarë që I kanë votuar më 25 prill.

Edhe deputetei Xhemal Mziu konfirmoi pjesëmarrjen në protestë, por zgjodhi që ta cilësojë jo si një protestë të Berishës, por të demokratëve kundër situatës të rëndë ekonomike në vend.

“Nuk është se kemi dalë në terren, por e rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeveria e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialist të ndershëm që e kanë votuar janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.

Por kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka dalë kundër protestës së 7 Korrikut të thirrur nga Sali Berisha.

Alibeaj deklaroi se protesta duhet të nisë duke dalë kundër oligarkëve në Kuvend për çmimet e larta.

“Mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Do protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përbashkimi i këtyre njerëzve që sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Nuk e kuptuat mirë se çfarë thashë.

Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, tha Alibeaj.

Ndërkohë deputetja e PD, Flutura Açka ka shpjeguar se pse nuk do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Berisha.

Açka tha se ajo nuk do të jetë fizikisht në Tiranë, por që protestën e saj ajo e ka bërë çdo ditë me fjalë.

“Unë nuk jam personalisht, por çdo qytetar është i lirë të protestojë. Qytetari është i lirë të protestojë pastaj unë kam qenë prej 30 vitesh në të gjitha protestat jo vetëm të PD e opozitës por në protestat e shoqërisë civile, është në natyrën time të protestoj.
Pastaj nuk është e thënë jam apo s’jam fizikisht, protestat e mia i kam bërë me fjalë çdo ditë”, tha ajo.

Një nga aleatët e PD, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka tha se gjithashtu do i bashkohet protestës së 7 Korrikut të thirrur nga Sali Berisha.

“Po ne do marrim pjesë, PAA, nuk kemi asnjë lloj rakordimi me zotin Berisha apo organizatorët e protestës por mendojmë që për çështjet të cilat bëhet protesta për çmimet, por sidomos për probemet që ka bujqësia sot mendoj që PAA duhet të jetë prezent në protestë dhe për të dhënë një mesazh për gjendjen e bujqësisë sidomos për heqjen e Tvsh për inputet bujqësore etj”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë