Politike

Dule: Presidenti të shpërndajë Parlamentin, nuk ka 140 deputetë

Në kulmin e krizës politike, ku deri më tani opozita po refuzon ftesën e kryeministrit Edi Rama për uljen në një dialog, nga kampi i djathtë po hidhet ideja e shpërndarjes së Parlamentit, duke nënkuptuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme politike.

Kryetari i Partisë së Bashkimit për Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule i ka drejtuar një kërkesë publike presidentit Ilir Meta për të shpërndarë Parlamentin, pasi ky institucion nuk i ka të plota vendet e 140 deputetëve.

Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Dule ka shprehet se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, për të interpretuar këtë vakancë, presidenti duhet të shpallë shpërndarjen e Parlamentit.

“Pavarësisht farsës së zëvendësimit të opozitës, tani edhe me saktësi matematike nuk mund të plotësohet më kërkesa e nenit 64 të Kushtetutës për 140 deputetë. Kuvendi ka rënë. Në mungesë te Gjykatës Kushtetuese, arsyeja juridike kërkon nismën e Presidentit për shpërndarjen e tij”, shkruan Dule në Twitter.

https://twitter.com/edoyles/status/1131537707388293120


Neni 64 i Kushtetutës përcakton se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore” dhe kjo është arsyeja që Dule bazohet te kërkesa e tij për shpërndarjen e Parlamentit.
Pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të PD, LSI, PR, PAA, PBDNJ dhe PDK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e zëvendësimit të deputetëve nga lista e opozitës PD dhe LSI. Aktualisht Parlamenti ka 122 deputetë nga 140 që ka si numër total ky institucion.

Pavarësisht këtij qëndrimi të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, aleat i PD-së, ligji parashikon që në rast se shterrojnë listat e PD-së dhe të LSI-së, KQZ-ja mund të zëvendësojnë mandatet e deputetit nga lista shumëemërore e PS-së.
Ndërsa vetë presidenti Meta ka hedhur poshtë mundësinë e ndërmjetësimit të një tryeze politike, pasi sipas tij si PD-ja dhe PS-ja kanë qëndrime të tejskajshme aq sa e bën të pamundur uljen në një dialog politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë