Politike

Dule: Jo zgjedhje në Himarë. Me skemat e tij politike Rama po mbulon tjetërsimin e pronave

Arrestimi i kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro nuk i ka hapur rrugë një zgjidhjeje politike për drejtimin e këtij qyteti. Të paktën ky është opinioni i kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili, në një intervistë për Gazeta “Si”, tregon se ka vetëm një zgjidhje për kthimin e normalitetit në Himarë. Dhe kjo zgjidhje është betimi i Fredi Belerit. “Do të ishte e ndershme për të gjithë, që të marrim vendimet pas gjykimit në Gjykatën e Strasburgut. Zgjedhjet në Himarë, nëse do të shpallen, do të jenë ilegjitime, nëse nuk paraprihen nga betimi i zotit Beleri. Çdo zgjidhje tjetër është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, thotë Dule, i cili beson se edhe arrestimi i Goros është një skemë politike e kryeministrit Edi Rama.

Zoti Dule, tani që edhe zoti Goro, që drejtoi Bashkinë e Himarës pas arrestimit të zotit Beleri, është në burg me denoncimin nga burgu të zotit Beleri, jeni të kënaqur?

“Më lejoni t’ju përshkruaj zhvillimet në Himarë me një metaforë. Zoti Rama ka ngritur një skenë të teatrit të hijeve, ku ka vetëm 1 aktor, i cili përcakton vendin e marionetave, lëviz fijet për marionetat në skenë dhe bën zërat e tyre. Ajo që duhet të theksojmë nuk është arrestimi i zotit Goro, por një fenomen thelbësor që ekziston në Himarë, tjetërsimi masiv dhe intensiv i pronësisë. Me fitoren e zotit Beleri, zoti Rama ndihet dyfish i kërcënuar. Së pari, sepse zoti Beleri e provoi me fakte, përmes kallëzimit konkret, se do të ekspozonte çdo aferë në lidhje me pronat në Himarë. Së dyti, do të bënte çmos t’i vinte fre këtij abuzimi sistemik që ka ndodhur gjatë drejtimit të bashkisë nga zoti Goro. Mbajtja më tej e Goros në rolin e marionetës ishte me kosto jopozitive për zotin Rama. Për rrjedhojë, bën një rrokadë dhe, në vend të njërës marionetë, vendos një tjetër, pretendon se drejtësia vepron njësoj për të gjithë dhe se ai qenka edhe konstruktiv për të gjetur një zgjidhje të moderuar në Bashkinë e Himarës. Në lidhje me zotin Goro, ai ka shërbyer për 12 vjet planet e Ramës dhe për 10 muajt e fundit ka mbajtur një post që nuk i takonte as administrativisht, as ligjërisht, as moralisht, as njerëzisht. Tani është momenti që të paguajë edhe ai koston në altarin e shmnagies së përgjegjësive nga ai mbi të cilin rëndojnë këto kosto, që është kryeministri Rama.

Ju flisni për një skemë politike të zotit rama, por si mund t’i interesojë kryeministrit Goro në burg për një projekt, ku është i përfshirë vetë me dhënien e statusit të investitorit strategjik në një pronë me dokumenta të falsifikuara?

“Kjo është një arsye që kësaj çështjeje i duhet shkuar deri në fund. Të mos harrojmë se kemi implikime të njohura politike. Këshilli i Ministrave ka favorizuar në këtë aferë bashkëshortin e një ish-ministreje të kabinetit të zotit Rama, kur ajo ka qenë në detyrë. Ka një kërkesë nga opozita dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e ish-ministres dhe, në mënyrë të pakuptueshme, në shkelje të çdo norme ligjore, Kuvendi ende nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, duke parë këto implikime që shkojnë në nivel ish-ministrash dhe të vetë kryeministrit, zoti Rama do të bëjë çmos që përgjegjësia të mos kanalizohet në drejtimin e burimit të aferës. Megjithatë, duhet pasur parasysh se Rama nuk e ka fshehur asnjëherë qëllimin e tij për tjetërsimin e pronave në Himarë. Nuk mund të flitet për zhvillim, kur ka grabitje dhe rrëmbim pronash. Në Himarë, duke qenë një pronar i ligjshëm, me pronë të trashëguar brez pas brezi, nuk mund ta gëzosh atë, nëse nuk do të hysh në një aferë me sekserët qeveritarë, që marrin përsipër dhe garantojnë dokumentacionin, të cilin s’e ke marrë dot prej 30 vitesh në rrugë ligjore dhe në fund, të sjellin edhe vendimin, edhe firmën e kryeministrit”.

Kur të krijohen kushtet pas vendimarrjes së Gjykatës së Apelit për çështjen e zotit Beleri, tani që as zoti Goro nuk është më pengesë, a do të merrni pjesë në zgjedhje në Himarë?

“Ne kërkojmë që për Himarën të vendoset legjitimiteti. Ne kërkojmë që të zbatohet Kushtetuta, të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe zoti Beleri të bëjë betimin. Nëse për arsye nga më absurdet, gjykata, prokuroria kërkon që zoti Beleri të jetë i paraburgosur, t’i krijohet mundësia që të rivendoset normaliteti dhe kushtetueshmëria, në mënyrë që zoti Beleri të emërojë nënkrytarët e bashkisë dhe njëri prej tyre vijon detyrën. Po ju tregoj një rast që tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë. Kemi zotin Beleri me një akuzë. Kemi një kryebashkiak të PS, me të njëjtën akuzë, si ajo e zotit Beleri, për korrupsion paraelektoral. Ai është akuzuar vite përpara zotit Beleri, ka marrë pjesë në dy palë zgjedhje, ka fituar, ka ushtruar detyrën dhe vazhdon ta ushtrojë duke u ndjekur në gjendje të lirë. Pse ky standard i dyfishtë? Pse kjo drejtësi selektive? Se Beleri është kandidat i opozitës? Sepse është anëtar i minoritetit etnik grek? Këto janë pyetje shumë serioze që shkojnë përtej skemave të Ramës dhe qeverisjes së zotit Rama dhe duhet të na vënë të gjithëve në mendime”.

Në çdo rast, a është bërë gati PBDNJ-ja që të marrë pjesë në zgjedhje, kurdo që të jenë ato me një kandidat tjerër?

“Himara ka kryebashkiak të zgjedhur, të cilit, për interesat e zotit Rama, i shkelet e drejta themelore kushtetuese e zgjedhjes, pasi, siç e thashë, betimi është hapi i fundit i zgjedhjes dhe po i privohet nga drejtësia në mënyrë abuzive. Normaliteti në Himarë rikthehet vetëm me zbardhjen e së vërtetës dhe unë nuk shpresoj që sistemi ynë gjyqësor të nxjerrë të vërtetën e këtij procesi. Do të ishte e ndershme për të gjithë, që të marrim vendimet pas Gjykimit në Gjykatën e Strasburgut. Me vullnetin tim të lirë nuk do të marr pjesë në shkeljen e Kushtetutës. Zgjedhjet në Himarë, kurdo që të shpallen, nëse do të shpallen, do të jenë ilegjitime, nëse nuk paraprihen nga betimi i zotit Beleri. Cdo zgjidhje tjetër është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë