Politike

Komisioni Hetimor e pret deri më 24 maj, Presidenti e refuzon: Ilegjitim

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer një përgjigje të gjatë Kuvendit në lidhje me kërkesën e këtij të fundit për ta dëgjuar në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij. Në letër, Presidenti rendit një sërë shkeljesh të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, që sipas tij e bëjnë nul të gjithë procesin hetimor.

Për këto arsye, Meta i kërkon Kuvendit që të reflektojë.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të reflektojë duke u mënjanuar nga qëllimet dhe urdhrat politikë. Në këtë periudhë tranzitore që përkon me përfundimin e mandatit të tij, Kuvendi mund dhe duhet të përmbushë vetëm ato detyra që i lejon cakton Kushtetuta dhe ligji”, thotë Meta.

Këshillat e Presidentit për Kuvendin është shfuqizimi i vendimit që ngre Komisionin Hetimor, ndërprerjen e të gjitha procedurave hetimore ndaj tij, ndërprerjen e çdo veprimtaria parlamentare e nismave legjislative, që sipas tij cenojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve në këtë periudhë të përfundimit të mandatit të tij dhe të ndërpresë tejkalimin e funksioneve dhe ndërhyrjen në kompetencat e Presidentit.

Presidenti vlerëson se Komisioni është ngritur në shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe vetë Rregullors së Kuvendit. “Si produkt i një veprimtarie të tërë parlamentare fiktive, duke krijuar një strukturë hetimore që nuk ka tashmë as legjitimitet për të vepruar”, thotë Meta.

Sipas Presidencës, në asnjë rresht të kërkesës së 49 deputetëve socialistë që firmosën ngritjen e Komisionit Hetimor nuk gjendet baza kushtetuese.

“Në asnjë prej fjalëve të deputetëve të partisë së vetme që gjen përfaqësim në Kuvendin pa opozitë, nuk është arritur të artikulohet një dispozitë e vetme e Kushtetutës, qoftë dhe tërthorazi, e cila është shkelur apo dhe mund të justifikojë iniciativën konkrete partiake të ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit”, thotë Meta.

Presidenti vlerëson se në ngritje të Komisionit Hetimor janë shkelur të gjitha procedurat e ligjet, mes të cilëve edhe ligji për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare.

“Qëllimi i ligjvënësit nuk ka qenë thjesht dhe vetëm përcaktimi i një afati 4-mujor para mbarimit të mandatit të Kuvendit, brenda të cilit nuk mund të ngrihet një komisioni hetimor, por qëllimi i dispozitës është që asnjë Komision Hetimor mos të ushtrojë veprimtarinë (dhe jo thjesht të “mos ngrihet”) gjatë 4 muajve të fundit të ushtrimit të mandatit të Kuvendit”, thotë Presidenca.

Për këto dhe një sërë arsyesh të tjera të renditura në letrën që Presidenca i ka dorëzuar Kuvendit, thuhet se “Presidenti i Republikës vlerëson se, nuk ka arsye të bëjë mbrojtje, për çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mungesën e legjitimitetit të Kuvendit në këtë nismë”.

“Lidhur me pretendimet partiake të ngritura, në funksion të transparencës me qytetarët e Shqipërisë, Presidenti i Republikës vlerëson se mund të japë informacione tepër interesante pikërisht mbi fenomenet e shfaqura në mënyrë të shëmtuar përgjatë këtij procesi zgjedhor”, thotë Meta.

Përveç se e cilëson ilegjitim dhe antikushtetues këtë Komision Hetimor, Presidenti në letrën e tij citon edhe arsye proceduriale dhe pamundësie për të qenë i pranishëm para këtij komisioni, pasi në thirrjen e parë të bërë nga Komisioni i Ligjeve kishte agjendën e zënë me takime me Presidenti slloven dhe ministren austriake të Europës, që vizituan Tiranën. Në rastin e dytë, të thirrur nga Komisioni Hetimor, Meta ndodhet në Slloveni për të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të procesit Brdo-Brijun.

Për këtë arsye, kreu i Komisionit të ligjeve propozoi që Metës t’i jepet mundësia që të dëgjohet deri ditën e hënë, më 24 maj, ku ditën dhe orën e dëgjesë ta caktojë presidenca.

“Propozoj që për të mundësuar dëgjesën e Presidentit të Republikës, si detyrim i këtij komisioni për ta thirrur dhe dëgjuar Presidentin dhe e drejtë dhe detyrim i presidentit, që t’i nisim një shkresë presidencës ku t’i komunikohet që komisioni është gati për ta dëgjuar nga nesër deri të hënën dhe presidenti le të zgjedhë datën dhe orën për ta dëgjuar dhe hequr çdo alibi për shmangie të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore”, tha Hyseni.

Komisioni Hetimor miratoi këtë propozim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë