Futboll

Duka tjetër apel qeverisë: Të kopjojmë Kosovën për sportin

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi sot një konferencë shtypi në lidhje me situatën që po kalon sot futbolli, për bojkotin e Superiores, kërkesat e Ligës dhe atë çfarë duhet bërë sipas tij, për ta ndryshuar njëherë e mirë sportin në tërësi dhe futbollin në veçanti.

“Jemi këtu për të zgjidhur situatën për sportin. Personalisht, jam i gatshëm që të takohem me çdo person vetëm që ligji të bëhet. Në mbledhjen e Ligës, disa nga presidentetët kanë deklaruar se po na bënë ligjin, do ta votojnë maxhorancën e sotme. Ndërprerja e sportit nuk është e mirë as për një orë. Fakti që na ka sjellë sot në këtë sallë dhe ka bërë shumë njerëz të diskutojnë, tregon se nuk është aq i keq bojkoti.

Për mua është e rëndësishme që ndryshimet të bëhen. Ka shumë që thonë se sporti ka 1001 probleme dhe për t’i minimizuar këto probleme duhet të bëjmë ndryshime, duhet t’i hapim rrugë zhvillimit. E rëndësishme është ta shohim çështjen me dashamirësi. Nëse do të rrimë me mendimet e pseudo-zyrtarëve apo servilëve, nuk do bëjmë asgjë. Nuk është më shumë se 5 minuta punë, nuk është ligj individual, është për fëmijët. Po të ishte një ligj për një individ, do të ishte miratuar brenda natës”, -ka theksuar Duka.

Duka, Libohova dhe Topçiu gjatë konferencës së sotme. Gazeta Si, 26 shtator 2020

Kosova si shembull
Më tej, presidenti i FSHF-së tha se duhet vullnet nga qeveria për të ndihmuar sportin. Ai u shpreh se është e thjeshtë, mjafton që të kopjohet Kosova për ligjin për sportin, ndërsa lijgin për sponsorizimin e kosnideron si diçka thelbësore.

“Në takimin me Ligën, Fidel Ylli ka deklaruar se kërkesat janë të drejta dhe duhet të realizohen. E bëmë relacionin më të zgjeruar dhe fëmijët e sporti do humbin ca ditë më shumë po u zvarrit vendimi. Më duket logjike ajo që po kërkon sporti në Shqipëri, po kërkon sa Kosova, një shtet i krijuar 90 vjet mbrapa Shqipërisë, mos të themi edhe shifra të tjera. Buxheti që jep qeveria shqiptare është 700 mijë euro, Kosova jep 12 milionë euro. Pse 12 herë më të këqij se Kosova jemi ne?

Nuk bëhet mbrojtja duke thënë se kjo qeveri ka financuar këtë e këtë. Po, ka financuar dhe e kemi duartrokitur kur është dashur. Të kopjojmë Kosovën, Maqedoninë, Hungarinë dhe bëjmë një gjë për sportin që të jetë e sigurt, minimumin jetik për sportin. Nuk është se pika kritike erdhi sot, është vazhdë e historisë dhe veprimeve të gjithë qeverive. Qeveritë e kanë braktisur sportin apo futbollin. Do të vijë një ditë që të merren vendime ekstreme dhe qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

Ne kërkojmë ndryshime ligjore për të përmirësuar sportin. Vetëm Superiorja sot paguan afërsisht 500 milionë lekë tatime, nuk është se e tëra është informale, por kërkojmë idealen. Do të doja të sqaronim kërkesat e tjera, pse i konsiderojmë që duhen. Nuk kanë asnjë argument që mund të japin për ligjin e sponsorizimit, nuk kërkojmë gjëra të mëdha. Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. Borxhet e klubeve nuk janë detyrime fiskale për arsye të aktivitetit, janë të trashëguara, kur janë privatizuar. Qeveria mund t’i falë gjobat dhe kamatvonesat dhe ndikimi në buxhetin e shtetit është më pak se 1 milion euro. Le të bëjnë ligjin e sponsorizimit, le mos i falin ato, ligji i sponsorizimit është më i rëndësishmi” – tha presidenti i FSHF-së, Duka.

Kreu i futbollit në Shqipëri në fund u shpreh se për situatën është lajmëruar edhe UEFA: “E kemi informuar UEFA-n në çdo hap që ne marrim, kemi marrë edhe ekspertizën e tyre. Janë plotësisht të informuar, janë në dijeni të situatës. Kemi pasur një diskutim me presidentin në Budapest pas finales. UEFA është e interesuar që çështja të zgjidhet sa më shpejt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë