Serxho Aguero mund të luajë në Itali sezonin e ardhshëm. Sulmuesit argjentinas, prej shumë vitesh pjesë e rëndësishme e Mançester Sitit, i skadon kontrata në fund të sezonit dhe duket se ka në plan të ndërrojë ambient.
Nga Spanja, konkretisht sipas “El Chiringuito”, vijnë zërat se futbollisti është kontaktuar që tani nga përfaqësues të Interit dhe Juventusit. Aguero është një sulmues me shumë përvojë ndërkombëtare dhe shihet si një mundësi shumë e mirë për merkaton e verës, aq më tepër kur bëhet fjalë për një operacion me parametra zero.

Më i interesuar në këtë rast është Juventusi, që ka nevojë më shumë se Interi për sulmues. Trajneri Andrea Pirlo kërkoi që në fillim një qendërsulmues dhe dëshira e tij ishte Edin Xheko, por boshnjkau nuk lëvizi nga Roma. Aguero, kampion me Sitin në Angli, më parë ka luajtur me Atletikon e Madridit në kampionatin spanjoll. Së shpejti ai mund të provojë edhe Serinë A.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.