Lajme

Dua Lipa merr dy Grammy, përshëndet natën e grave: Mendoj se dolëm në pah 

Artistja me origjinë shqiptare valëviti flamurin e muzikës britanike në çmimet Grammy, mbrëmjen e së dielës, duke pranuar çmimin si Artistja e re më e mirë, përpara se të kritikonte presidentin e Akademisë Grammy  për komentet e tij rreth muzikanteve femra, vitin e shkuar. Këngëtarja britanike u shpall  artistja më e mirë e re në një kategori ku konkurronin artistë si Chloe x Halle, Luke Combs, Greta Van Fleet, H.E.R., Margo Price,  shqiptarja tjetër Bebe Rexha dhe Jorja Smith. Lipa bëhet kështu e para artiste me origjinë shqiptare që fiton në  Grammy.

Pasi u ngjit në skenë për të marrë çmimin,  Lipa kritikoi presidentin e Akademinë së Grammy-it, i cili vitin e kaluar u shpreh  se gratë duhet të dilnin në pah, pas ankesave se kandidimet dominoheshin nga burrat. Këtë vit kategoritë kishin më shumë gra. Ndërsa pranoi çmimin në skenë, Lipa tha se ishte “e nderuar” që kandidohej bashkë me artiste të jashtëzakonshme femra, duke shtuar: “Mendoj se këtë vit, vërtet dolëm në pah.” Ishte çmimi i dytë i mbrëmjes  për Dua Lipan, e cila më herët fitoi edhe Regjistrimin më të mirë dance për këngën “Electricity”.

Ajo më pas komentoi edhe arrestimin e rreperit 21 Savage, duke e cilësuar si “trishtuese”.

21 Savage është ndaluar nga zyrtarët e emigrimit në Amerikë pasi doli se kishte lindur në Britani dhe e kishte shkelur kohëqëndrimin e vizës. E pyetur se ç’mendonte ajo për incidentin, Lipa tha se ishte “trishtuese, duke marrë parasysh se ai nuk kishte bërë asgjë kundër ligjit”, ndërsa lëvdoi kontributin e tij në kulturën amerikane.

E pyetur se cili ishte dallimi të fitoje çmime në vendin e saj dhe në ShBA, ajo do të thoshte: “Është çmenduri. Të jesh artiste britanike është mbresëlënëse dhe tani kam mundësinë të jem këtu dhe të marr këtë vlerësim.”

Vërejtjet e këngëtares britanike, erdhën në një natë të dominuar nga gratë, që nisi me paraqitjen e befasishme të ish-zonjës së parë të Amerikës, Michelle Obama dhe kulmuan me triumfin e albumit të vitit të artistes Kacey Musgraves.

Ishte gjithashtu një natë e madhe edhe për muzikën rap. Drake befasoi botën e muzikës, kur u shpall fitues për këngën më të mirë rap, ndërsa Childish Gambino shkroi historinë duke fituar çmimin Kënga e vitit – hera e parë që ky çmim i shkon një pjesë të muzikës hip-hop.

Ceremonia nisi me zonjën Obama që iu bashkua në skenë një grupi grash të fuqishme, duke folur rreth një teme që solli kontraste vitin e shkuar, ku zërat femërorë ishin disi të heshtur.

 Mikpritësja e mbrëmjes dhe fituesja e 15 çmimeve Grammy Alicia Keys hapi ceremoninë e edicionit të 61-të të Çmimeve Grammy, në Los Anxhelos duke mirëpritur në skenë Lady Gaga, Jennifer Lopez, Jada Pinkett Smith dhe ish-zonjën e parë.

Me brohoritma që e shoqëronin në Qendrën Staples, zonja Obama, iu drejtuar audiencës së mbushur me yje. “Muzika më ka ndihmuar gjithnjë të rrëfej hustorinë time dhe e di se kjo është e vërtetë për secilin këtu”, tha bashkëshortja e ish-presidentit Barack Obama, ndërsa shtoi “Muzika na ndihmon të ndajmë veten, dinjitetin dhe brengat tona, shpresat dhe gëzimet, na lejon të dëgjojmë njëri-tjetrin e ta lëmë njëri-tjetrin të hyjë brenda.”

“Po zonja”, tha Alicia Keys. “Nuk ka gjë më të mirë se kjo”.

Lady Gaga, Jada Pinkett Smith, Alicia Keys, Michelle Obama, Jennifer Lopez në skenën e çmimeve Grammy. CREDIT: AP

Lista e fituesve në Çmimet Grammy 2019

Albumi i vitit - Golden Hour, Kacey Musgraves

Regjistrim i vitit - This Is America, Childish Gambino

Kënga e vitit (çmimi për kantautorin) - This Is America, Childish Gambino dhe Ludwig Goransson

Artistja më e mirë e re - Dua Lipa

Performanca më e mirë solo e pop-it - Joanne (Where Do You Think You're Goin'?), Lady Gaga

Performanca më e mirë duo/ grup e pop-it - Shallow, Lady Gaga dhe Bradley Cooper

Albumi më i mirë vokal pop - Sweetener, Ariana Grande

Albumi më i mirë vokal pop tradicional - - My Way, Willie Nelson

Albumi më i mirë dance/ elektronik - Woman Worldwide, Justice

Albumi më i mirë Rock - From The Fires, Greta Van Fleet

Albumi më i mirë i muzikës alternative - Colors, Beck

Albumi më i mirë bashkëkohor urban - Everything Is Love, The Carters (Beyonce dhe Jay-Z)

Albumi më i mirë R&B - H.E.R., H.E.R.

Albumi më i mirë rap - Invasion Of Privacy, Cardi B

Albumi më i mirë country - Golden Hour, Kacey Musgraves

Kolona zanore më e mirë për median vizuale - The Greatest Shoëman

Producenti i vitit, jo-klasik - Pharrell Williams

Videoja më e mirë muzikore - This Is America, Childish Gambino

Filmi më i mirë muzikor - Quincy, Quincy Jones


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë