Libra

Dua Lipa: Leximi i librave më ka ndihmuar në kohët e tensionuara

Nga Gazeta Si - Dua Lipa thotë se “kënaqësia e thjeshtë” e leximit e ndihmoi atë të kalonte kohët “e tensionuara” në turne dhe të lidhej me trashëgiminë e saj.

Në një fjalim të mbajtur në ceremoninë e çmimit Booker 2022, këngëtarja 27-vjeçare, tha se shkrimi i mirë “ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen të vlerësuar”.

Çmimi u fitua nga autori nga Sri Lanka, Shehan Karunatilaka, për romanin e tij “The Seven Moons of Maali” dhe u prezantua në Britaninë e Madhe.

Në fjalët e saj gjatë aktivitetit, në The Roundhouse në Londër, Lipa vlerësoi Ismail Kadarenë.

“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës, të flasësh për një nga gëzimet më të thella në botë: kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri,” tha ajo.

“Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës londineze, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla urtësie që më udhëheqin edhe sot”.

Lipa tha se puna e Kadaresë gjithashtu e ndihmoi atë “të lidhem me trashëgiminë dhe identitetin e familjes sime si shqiptarë të Kosovës”.

“Mësova për frymën e rezistencës shqiptare, për atë vendosmëri kokëfortë që i mban kosovarët të luftojnë për njohjen ndërkombëtare për pavarësinë tonë sot”, tha ajo.

Dua Lipa gjatë ceremonisë së Çmimit Booker 2022

Fituesja e çmimit Brit Award vazhdoi: “Shpesh pyes veten nëse autorët e kuptojnë se sa dhurata na bëjnë”.

“Sot, angazhimet e turneut më çojnë në të gjithë globin dhe jeta është shpesh e ethshme. Ndonjëherë vetëm për të mbijetuar, më duhet të adoptoj një pamje të jashtme të ashpër. Dhe në këto momente, janë librat ata që më zbutin. Shkrimet e mira na tregojnë histori që bota i ka injoruar. Ne të gjithë duam vetëm të duam dhe të na duan dhe të gjejmë vendin tonë në botë, dhe autorët me të vërtetë na ndihmojnë ta bëjmë këtë”, është shprehur ndër të tjera Lipa.

Në fillim të këtij viti, Lipa lançoi një podcast – “Dua Lipa: At Your Service” në të cilin ajo u flet njerëzve edhe për autorët e njohur.

Në përfundim të fjalës së saj, ajo iu drejtua autorëve të përzgjedhur në listën e ngushtë, duke thënë: “Nëse libri juaj ishte diçka që ju e keni shkruar vetëm për veten tuaj, për të ndryshuar botën apo thjesht sepse e ndjenit sikur duhej, faleminderit që na lejuat të hyjmë në botët që krijoni. Kjo me të vërtetë do të thotë shumë për ne lexuesit”.

“The Seven Moons of Maali”, libri fitues i Çmimit Booker 2022 nga Shehan Karunatilaka, është një satirë e vendosur mes një lufte civile vrastare në Sri Lanka.

Autori Shehan Karunatilaka, fitues i çmimit Booker

Romani i shkrimtarit nga Sri Lanka ka të bëjë me një fotograf që zgjohet i vdekur dhe u kërkon miqve të tij të gjejnë fotot e tij dhe të ekspozojnë brutalitetin e luftës.

Çmimi prestigjioz prej 50,000 funte, për një vepër të vetme artistike të botuar në Mbretërinë e Bashkuar në anglisht, u jep gjithashtu pesë shkrimtarëve të tjerë në listën e ngushtë 2,500 funte secili.

Shkrimtari nga Sri Lanka tha se ai vendosi në vitin 2009 të shkruante “një histori fantazmë ku të vdekurit mund të ofronin perspektivën e tyre” pas përfundimit të luftës civile në Sri Lanka, “kur pati një debat të ndezur se sa civilë vdiqën dhe faji i kujt ishte”.

Juria e përshkroi romanin e autorit nga Sri Lanka si një “udhëtim me rrota nëpër jetë dhe vdekje” dhe vlerësuan guximin dhe ambicien e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë