Bota

Dronët ukrainas godasin Moskën dhe Krimenë, rusët akuzojnë Kievin: Akt terrorist

Gazeta Si - Rusia e ka akuzuar Ukrainën se është mbrapa sulmeve me dronë që i kanë dëmtuar të paktën dy ndërtesa në Moskë, në mëngjesin e së hënës.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se dy dronët janë “shtypur dhe shkatërruar”, ndërsa nuk raportohet për të vdekur.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, ka raportuar se një dron ka rënë afër Ministrisë së Mbrojtjes.

Zyrtarët ukrainas nuk janë deklaruar ende, mirëpo ata rrallë e marrin përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë.

Pas ngjarjes, Rusia e ka quajtur “akt të terrorizmit ndërkombëtar” sulmin e ndodhur natën kundër Moskës, ku dronët ukrainas goditën dy ndërtesa jo-rezidenciale.

Është "një akt i terrorizmit ndërkombëtar", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova për televizionin Rtvi.

Sulmi ndodhi pak para agimit: të paktën dy dronë goditën dy ndërtesa jo-rezidenciale pa dëme serioze apo viktima, tha kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin.

Një orë më vonë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte "prishur një përpjekje të regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist me dy dronë kundër instalimeve në territorin e Moskës".

Moska e ka akuzuar edhe në të kaluarën Ukrainën për kryerje të sulmeve me dronë. Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë