Ne rrjet

Dronët mbi Europë/ Shërbimet sekrete të Moskës kanë fluturuar mbi 144 objektiva strategjikë në 13 vende

Dronët spiunë të lëshuar nga Kremlini duket se po dominojnë hapësirën ajrore europiane. Një raport i sapopublikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) në Londër pohon se është “shumë e mundshme” që Moska të ketë zhvilluar një fushatë sistematike mbikëqyrjeje ndaj 13 vendeve evropiane.

Studiuesit britanikë janë mbështetur në arkivin e ACLED (Armed Conflict Location & Event Data), një qendër e pavarur amerikane që monitoron konfliktet, si edhe në raportimet e mediave ndërkombëtare. Rezultati është mbresëlënës: 144 inkursione të dronëve rusë, të regjistruara nga gushti i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2026.

Shërbimet sekrete të Kremlinit dyshohet se kanë mbledhur informacione për disa nga bazat ushtarake më të rëndësishme në Evropë, si baza amerikane Ramstein në Gjermani, si edhe objektet e Forcave Ajrore gjermane në Ingolstadt-Manching dhe Neuburg. Në shënjestër ka qenë edhe aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle”, si dhe baza e nëndetëseve me shtytje bërthamore në Île Longue, në Bretanjë.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, objektet e vëzhguara fshehurazi nga rusët kanë rëndësi të madhe strategjike: bazat e RAF-it (Forcave Ajrore Mbretërore) në Fairford, Feltwell, Mildenhall dhe, mbi të gjitha, në Lakenheath, në pjesën qendrore të Anglisë, ku thuhet se po ndërtohet një depo për armët bërthamore amerikane.

Sipas raportit, 48% e “incidenteve” kanë prekur struktura ushtarake; 18% aeroporte civile; ndërsa 26% porte, aeroporte, impiante energjetike dhe objekte industriale. Vendi më i spiunuar rezulton të jetë Gjermania, me 58 raste të raportuara. Pas saj renditen Belgjika (25), Danimarka (16), Holanda (9), Franca (8), Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia (nga 7 secila). Listën e plotësojnë Republika Çeke, Finlanda, Spanja, Irlanda, Polonia dhe Suedia.

Nuk ka asnjë raportim që lidhet me Italinë. Dronët e Vladimir Putinit dyshohet se janë nisur nga anijet e të ashtuquajturës “flota fantazmë” ruse, e cila lundron në ujërat ndërkombëtare, nga Deti Baltik në Detin e Veriut, deri në Kanalin Anglez dhe Oqeanin Atlantik. Këto anije zakonisht transportojnë naftë bruto ruse të goditur nga sanksionet evropiane dhe amerikane, por sipas IISS-it janë shndërruar edhe në platforma të lëvizshme për lëshimin e dronëve spiunë.

Lëvizja e re taktike e Putinit, deri tani, duket se i ka zënë në befasi sistemet mbrojtëse të vendeve evropiane. Prej muajsh, si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe të Bashkimit Evropian, po diskutohet për “ndërhyrjet” e dronëve rusë. Sistemet tradicionale të mbrojtjes kundërajrore kanë rezultuar të pamjaftueshme. Dronët mund të fluturojnë në lartësi të ulët, duke shmangur radarët. Për më tepër, përdorimi i raketave të shtrenjta dhe me fuqi të lartë për t’i rrëzuar konsiderohet ekonomikisht i paqëndrueshëm.

Bashkimi Evropian ka miratuar planin “European Drone Defence Initiative”, të ashtuquajturin “muri i dronëve”, i cili pritet të bëhet funksional deri në fund të vitit 2026.

Edhe NATO po ndërmerr hapa në këtë drejtim. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte e ka përfshirë këtë çështje ndër prioritetet që do të shqyrtohen në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive, i planifikuar për 7 dhe 8 korrik në Ankara, Turqi. Sipas tij, është e nevojshme të transformohen investimet në mbrojtje – pra, më pak tanke dhe më shumë dronë – si edhe të rritet kapaciteti inovativ i industrisë ushtarake./ Corriere della Sera/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë