Bota

Dronë të rrëzuar në rajonin e Moskës, pezullohen fluturimet. Rusia akuzon Ukrainën

Gazeta Si - Rusia ka denoncuar Ukrainën që sipas saj ka goditur disa dronë pranë Moskës, duke e cilësuar një "akt terrorist" nga Kievi.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, shkroi në Telegram: “Përpjekja e regjimit të Kievit për të sulmuar një zonë ku ndodhet infrastruktura civile, duke përfshirë një aeroport që, ndër të tjera, trajton fluturimet ndërkombëtare, është një akt i ri i terrorizmit”.

Sipas informacioneve paraprake, 5 dronë u përdorën në sulmin e së martës. Ministria e Mbrojtjes tha se të gjithë dronët u rrëzuan dhe nuk pati viktima apo dëme. Nga ana tjetër, Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin e pretenduar nga Rusia.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, 4 nga dronët që fluturonin në rajonin e Moskës u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Droni i 5-të u kap në mënyrë elektronike përpara se të përplasej.

“Telegram Shot” raportoi se një nga dronët, ose fragmente prej tij, ra mbi një ndërtesë në fshatin Krivosheino. Ndërtesa më pas mori flakë.

Ky nuk është sulmi i parë me dron që synon Moskën. Në Maj, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se të paktën 8 dronë shkaktuan dëme të vogla. Kjo shënoi herën e parë që qyteti ishte shënjestruar nga dronët e shumtë që nga pushtimi rus i Ukrainës në Shkurt 2022. Për atë rast, Kievi mohoi përgjegjësinë për sulmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë